Si erdhi deri te vrasja e të riut në Hajvali, Policia jep detaje

Prishtinë | 11 Dhj 2021 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmë është therur për vdekje një i ri në Hajvali të Prishtinës. Detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti, ka dhënë Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

Një incident mes tre personave ka përfunduar me vrasjen e një të riu në Hajvali.

Për rastin, janë arrestuar tre të dyshuar, kurse trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Hajvali 10.12.2021 – 21:35. Është raportuar se pas një incidenti të ndodhur mes tre personave të dyshuar meshkuj kosovarë dhe viktimës mashkull kosovar, ky i fundit dyshohet se është sulmuar me thikë dhe si pasojë e lëndimeve të rënda ka ndërruar jetë në QKUK. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje kurse trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndryshe, i riu s’ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra dhe ka vdekur në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Lajmin është konfirmuar mbrëmë mjeku kujdestar në Emergjencë, Avdush Bajgora.

Sipas Bajgorës, viktima kishte arritur në klinikë me plagë të rënda.

“Po ka vdekur. Kemi ndërhyrë për 1 orë e gjysmë. Ai ka ardhur me plagë të rënda”, ka deklaruar Bajgora.

Të ngjashme