“Si të shoh unë ty” – Të rinjtë nga Kosova dhe Serbia tejkalojnë stereotipet

Prishtinë | 10 Gus 2022 | 22:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Shtëpinë e Shani Efendisë në Prizren, sonte është hapur ekspozita multimediale me temën “Si të shoh unë ty”. 47 të rinj nga Kosova dhe Serbia kanë punuar projekte filmike dhe audio-vizuele dhe qëllimi ka qenë që të tejkalohen stereotipet sociale dhe që të rinjtë nga të dyja vendet të kenë rastin ta njohin më mirë njëri-tjetrin.

Ky projekt është mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe është implementuar nga Dokufest, Fondacioni B92 dhe Free Zone Film Festival.

Hillen Francke, zëvendës-shefe e seksionit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së, tha se ekspozita pasqyron aktivitetet e organizuara deri më tani ndërmjet të rinjve në Kosovë dhe Serbi në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Si të shoh unë ty?”

“Ekspozita është pjesë e një projekti të financuar nga BE-ja që angazhon të rinjtë nga Kosova dhe Serbia në një proces krijues përmes përmbajtjeve filmike dhe audio-vizuale. Është një iniciativë e jashtëzakonshme që synon të reflektojë mbi çështjet shoqërore, të kundërshtojë dezinformimin nëpërmjet edukimit mediatik, të kontribuojë në zbërthimin e stereotipeve sociale dhe të fuqizojë pjesëmarrësit që të bëhen qytetarë të ndërgjegjshëm që mund të trajtojnë çdo pengesë që u del përpara”, tha Francke për Ekonomia Online.

“Të rinjtë dhe të rejat që kanë marrë pjesë në Kampet e Shkëmbimit Ndërkulturor në Kosovë dhe Serbi na ftojnë të dëgjojmë zërat e tyre dhe të reflektojmë mbi komunikimin, perceptimet dhe identitetin. Të rinjtë në rajon ndajnë një perspektivë të ndritshme paqeje, tolerance dhe solidariteti brenda familjes së BE-së. Është thelbësore të shumëfishojmë përpjekjet tona për t’i lidhur ato, për t’u siguruar që ata ndajnë të njëjtat aspirata dhe të mësojnë të merren me çdo frikë dhe dyshim së bashku”.

“Për këtë arsye, programet kulturore, përvojat e të mësuarit, lëvizshmëria dhe shkëmbimi janë thelbësore për zhvillimin e aftësive kyçe ndërkulturore dhe të bashkëpunimit të të rinjve; për t’u bërë gra dhe burra mendjehapur, krijues dhe të zgjuar të së nesërmes”, theksoi Francke.

Ajo theksoi se Bashkimi Evropian mbështet zhvillimin e bashkëpunimit kulturor në Ballkanin Perëndimor për një kohë të gjatë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në vitet e ardhshme.

“Dëshiroj të falënderoj partnerët tanë zbatues Dokufest, Fondacioni B92 dhe ‘Free Zone Film Festival’ nga Serbia, për cilësinë e punës së bërë. Jam e lumtur që kjo po ndodh gjatë Dokufestit, i cili po ndihmon për të vendosur skenën kulturore të Kosovës në hartën evropiane dhe globale, si dhe për të sjellë kulturën evropiane dhe globale në Kosovë”, u shpreh zëvendës-shefja për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Prishtinë.

Për projektin detaje të tjera dha koordinatorja Zana Arapi-Xheladini. Ajo tregoi se në këtë projekt kanë punuar me grupe dhe se pjesëmarrësit kanë qenë nga Kosova dhe Serbia.

“Ky është viti i dytë i projektit dhe në total deri më tash kemi pasur 47 participantë të cilët kanë krijuar mbi 60 video dyminutëshe për njëri-tjetrin. Besoj se do t’i kemi edhe dy ekspozita të tjera deri në fund të projektit”.

Krahas ekspozitës me projekte audio-vizuele, në ditën e fundit të kampit të rinjtë do të kenë mundësi të takohen në Prizren dhe ta njohin njëri-tjetrin. Arapi-Xheladinishpalos se njëra nga pyetjet që të rinjtë është dashur t’i përgjigjen në video ka qenë se çfarë qëllimi i ka shtyrë të marrin pjesë në këtë projekt dhe a e ka ndryshuar mendimin për personin që e ka pasur afër.

Sipas saj, përgjigjja më e shpeshtë ka qenë që ndërmjet të rinjve nga Kosova dhe Serbia barriera është (vetëm) gjuhësore. Disa prej tyre kanë deklaruar se urrejtja ka qenë te gjeneratat e mëhershme, ndërsa të rinjtë duhet të ecin përpara.

Vanja Ćećen, pjesëmarrëse nga Serbia, tha se ka dashur të shoh sesi funksionojnë dy shtete të ndryshme siç është Kosova dhe Serbia.

“Më pëlqen të udhëtoj dhe të njoftoj njerëz të rinj, prandaj ishte mundësia perfekte. Kam eksperiencë me projekte që bashkojnë gjeneratat e reja”.

“Isha kurioze ta shoh se si miksohen dy shtete të ndryshme në një projekt dhe me të vërtetë ka qenë fantastike. Kam bërë shumë miq, të cilët i ritakova në Prizren dhe mezi po pres që ata të vijnë në Serbi”, tha ajo.

Sara Sagdati, pjesëmarrëse nga Kosova, tha se arsye kryesore që nuk janë zhvilluar aktivitete të tilla është paragjykimi që njerëzit i kanë pasur.

“Arsyeja kryesore pse kam marrë pjesë në ‘How do I see You’ mendoj është se kur rritesh në Prizren, një festival si Dokufesti të bie në sy dhe bëhet ëndrra jote që të marrësh pjesë në të. Mendoj se ka qenë një projekt unik sepse teknikisht ka dalë jashtë kufijve të Kosovës, gjë që ndodh rrallë me projektet në Kosovë”.

“Arsyeja tjetër është se ky projekt ka qenë i nevojshëm për një kohë të gjatë, por askujt nuk i ka rënë në mend ta realizojë. Ndoshta një prej arsyeve janë paragjykimet që njerëzit kanë pasur”, tha ajo.

Ky aktivitet është pjesë e fushatës “Për ju, me ju” që ka për synim promovimin e mbështetjes së BE-së për Kosovën. Deri më tani, falë mbështetjes së BE-së për zhvillim social, 500 vendim-marrës të rinj janë fuqizuar me aftësi për të avokuar për të drejtat e grave, 15.000 djem dhe vajza janë përfshirë në aktivizëm rinor, shkëmbim ndërkulturor, dhe mësim joformal, si dhe më shumë se 50 000 njerëz të cenueshëm janë mbështetur përmes shërbimeve mjekësore dhe sociale.

Të ngjashme