48 të burgosur në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë do të testohen për Coronavirus

Prishtinë | 02 Pri 2020 | 12:36 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Katërdhjetë e tetë të burgosur të cilët gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, do t’i nënshtrohen testimit nëse janë apo jo të infektuar me Coronavirus.

Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online, Rasim Selmani, zv.drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës. Sipas tij, deri më tani janë testuar 32 persona dhe momentalisht IKShP-ja është duke testuar edhe të burgosurit.

Kjo erdhi një ditë pasi, u bë e ditur që dy zyrtarë korrektues nga kjo qendër kishin dalë të infektuar me Coronavirus, pas një ahengu të mbajtur me 14 mars në Zveçan.

“Deri më tani janë testuar 32 persona të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë. Sot janë duke u testuar të tjerët përfshirë këtu edhe të burgosurit. Pikërisht për këtë janë marrë masat që sot të testohen të gjithë burgosurit që gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, që numri i tyre është 48 persona. Kështu që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sot është atje dhe do të bëjë testimin e tyre”, theksoi ai.

Selmani theksoi se dy zyrtarët korrektues janë liruar nga detyra, janë të karantinuar dhe sipas informacioneve që kanë, gjendja e tyre është stabile.

“Është e vërtetë që ne kemi tash për tash dy zyrtarë korrektues që janë pozitiv të infektuar, ata kanë marrë pjesë me një aheng që ka qenë i organizuar në Zveçan me 14 mars. Ata tashmë janë liruar prej detyrave janë të karantinuar dhe normalisht ne jemi duke e përcjell situatën në atë pjesë. Në bazë të informacioneve që kemi gjendja e tyre është e mirë, është stabile deri më tani, ata janë duke u trajtuar dhe janë duke respektuar udhëzimet mjekësore”, tregoi Selmani për EO.

Sipas Selmanit, përveç zyrtarëve korrektues në Mitrovicë, kanë testuar edhe dy persona staf nga Burgu i Sigurisë së Lartë të cilët poashtu kanë qenë pjesë e ahengut në Zveçan. Mirëpo, ai thotë se të dy këtë persona kanë rezultuar negativ.

“Përveç në Mitrovicë kemi testuar edhe dy staf të Burgut të Sigurisë së Lartë të cilët kanë qenë në aheng të datës 14 mars, edhe fatmirësisht kanë rezultuar negativ. Kanë qenë në të njëjtin aheng që është organizuar në Zveçan”, tregoi Selmani.

Ai thotë se kanë ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që mos të përhapet Coronavirusi, raporton EO.

Selamani thotë se janë dezinfektuar të gjitha hapësirat e institucioneve korrektuese duke përshirë dhomat e hapësirat e përbashkëta.

“Në kuadër të masave që ne kemi ndërmarrë bashkërisht me departamentin shëndetësor të burgjeve, janë dezinfektuar të gjitha hapësira  e institucioneve korrektuese përfshirë edhe dhomat e të burgosurve, hapësirat e përbashkëta dhe gjitha hapësirat e jashtme të institucioneve korrektuese dhe mund të them që higjiena është duke u mbajtur jashtëzakonisht mirë nëpër institucioneve korrektuese”.

Selmani tregon se në rast të përhapjes së pandemisë Coronavirus edhe në institucioneve korrektuese, kanë bërë një hapësirë të veçantë ku do të mund të trajtoheshin të burgosurit  e infektuar.

“Ne kemi ndërmarrë të gjitha masat  edhe kemi planet tona në rast se do të mund të vije deri te një situatë e tillë po gjithherë ne mbështetemi edhe në rekomandimet që sistemi shëndetësor në vend do ti jep për rastet individuale. Mirëpo, kemi edhe hapësira ku mund të vendosim të burgosurit në rast se kjo do të jetë e nevojshme. Në secilin institucion kemi hapësira të caktuara të cilat janë të identifikuara ku mund të vendosen të burgosurit në rast se mund të vije deri  te ndonjë infeksion me Cornavirus”.

“Ne me gjitha kapacitetet që kemi, jemi të bindur që edhe në bazë të planeve që kemi hartuar që do ta menaxhojmë këtë situatë mirë, shpresojmë që ky nr mos të rritet, në përgjithësi në Kosovë e sidomos në burgje. Megjithatë, ne i jemi drejtuar edhe institucioneve tjera për ndihmë në këtë rast Ministrisë së shëndetësisë dhe gjithë akterëve tjerë”, theksoi Selmani për EO.

Përveç këtyre raste në Mitrovicë, Selmani bën të ditur se në qendrat tjera gjendja në përgjithësi është e mirë.

Ai tha se në këtë aspekt kanë dhënë një kontribut të madh edhe të burgosurit të cilët kanë qenë shumë bashkëpunues.

“Në përgjithësi në qendrat tjera gjendja është e mirë, falë angazhimit  të gjithëve përfshirë edhe stafit por edhe të burgosurit të cilët kanë qenë këtë kohë jashtëzakonisht të kujdesshëm edhe në mbajtjen e pastërtisë edhe kanë bashkëpunuar jashtëzakonisht shumë në mënyrë që ta përballojmë këtë situatë”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme