AKI-ja mbetet pa “kryespiun”, analistët thonë se përzgjedhjen duhet ta bëjë Qeveria e re

Prishtinë | 12 Nën 2019 | 08:08 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zgjedhja e shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ka mbetur “peng” për shkak të procesit zgjedhor nëpër të cilin po kalon Kosova.

Kanë kaluar gjashtë ditë që kur ish kreu i këtij institucioni, Shpend Maxhuni, ka dhënë dorëheqje ndërsa ende nuk ka ndonjë vendim për emërim në ri në këtë pozitë.

E sipas Ligjit për Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), neni 5, Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda njëzet ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.

Pra, sipas këtij ligji, kanë mbetur edhe 14 ditë deri në emërimin e pasuesit të Maxhunit.

Analistë politik e profesorë të shkencave të sigurisë nuk besojnë se çështja e shefit të AKI-së, do të zgjidhet brenda afatit të caktuar me ligj për shkak të mos-formimit të Qeverisë së Kosovës.

Analisti politik, Blerim Vela, tha për Ekonomia Online, se nuk beson që Qeveria e re do të krijohet brenda kësaj kohe, për ta zgjedhur në afatin prej 20 ditësh shefin e ri të AKI-së.

“Tash është pikëpyetje a do ta shfrytëzojnë këtë mundësi edhe Kryeministri edhe Presidenti  që ta bëjnë një emërim të tillë pasi të vije Qeveria e re, por i kanë 20 ditë kohë. Unë nuk jam i sigurt që brenda 20 ditëve do të krijohet Qeveria e re. Pra nëse nuk ndodhë emërimi brenda 20 ditëve, personi i ardhshëm që do të emërohet do të ketë mandat të plotë pesë vjeçar. Pra mbetët të shihet nga veprimet e këtyre personave në qoftë se ata bëjnë një emërim brenda kësaj periudhe kur nuk është Qeveria e re, atëherë mund të jetë pjesë e një kalkulimi më të gjerë politik që bëhet”, theksoi Vela.

Ndërsa, profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, thotë se Kryeministri në largim së bashku me Presidentin nuk duhet të zgjedhin shefin e ardhshëm të AKI-së, pasi këtë duhet ta bëjë Qeveria e re.

“Në rrethanat e krijuara, Kryeministri në largim z.Haradinaj, nuk do të duhej që të merr një hap të tillë, që ta bëjë zgjedhjen së bashku me Presidentin, për shkak se tash do të vijë një Qeveri  e re ku dihet se secila Qeveri e re i ka planet e veta, pra edhe sigurinë kombëtare në planin e vet”, tha Islami.

Ai më tej, shtoi se me formimin e Qeverisë së re, duhet sa më parë të zgjidhet drejtori i AKI-së.

“Tash në këtë kohë, kur pritet të zgjidhet edhe kryeinspektori për shkak se tash më kanë mbetur dy vende vakante për institucionin që është kredibil dhe i besueshëm. Mendoj që duhet sa më parë të jetë e mundshme që të zgjidhet drejtori dhe kryeinstpekroti i AKI-së, duke pasur parasysh që prej momentit kur shkarkohet ose jep dorëheqje drejtori i AKI-së, sipas ligjit mbi AKI-në, duhet që brenda 20 dite të zgjidhet tjetri”, tha Islami për Ekonomia Online.

Ai beson se Qeveria e re do të formohet së shpejti dhe Presidenti së bashku me Kryeministrin Kurti do të përzgjedhin edhe shefin e AKI-së.

Lexo më shumë:

Të ngjashme