Dënimet ndaj zyrtarëve të lartë “qesharake”, rastet po zvarriten deri në 10 vjet

Prishtinë | 28 Maj 2022 | 08:49 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sistemi i drejtësisë në vend po konsiderohet se ka dështuar sa i përket shqiptimit të dënimeve të zyrtarëve të lartë publik, të akuzuar për krim e korrupsion.

Njohës të fushës vlerësojnë se gjykatat po shqiptojnë dënime “qesharake” përkatësisht dënime me gjobë dhe me kusht, madje rastet po zvarriten deri në 10 vjet, raporton Ekonomia Online.

Ylli Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se edhe prokuroria ka dështuar për të bërë hetime të mirëfillta.

Sipas tij, dënimet ndaj zyrtarëve të lartë janë pothuajse të njëjta me ato për kundërvajtje e në raste të rralla me burg efektiv.

“Zakonisht kur kemi të bëjmë me profilin e lartë të zyrtarëve publik, kemi edhe dështim të sistemit juridik, kemi dështim të Prokurorisë për të bërë hetime të mirëfillta, kemi pastaj edhe dështim të gjykatës për t’i dështuar këto raste dhe nëse arrijmë të bëhen aktgjykime të plotfuqishme që rrallë ndodh kemi edhe dënime qesharake, përkatësisht dënime me gjobë dhe dënime me kusht”.

“Ende sistemi jonë i drejtësisë nuk po arrin që të shqiptojë dënimin me burgim efektiv kur janë në pyetje zyrtarë të lartë publik, ende kemi shqiptime të dënimeve të njëjta sikur të ishin kundërvajtje. Kemi shqiptim të dënimeve për rastet e korrupsionit, krimit të organizuar, dënimi më kusht dhe me gjobë e cila nuk është adekuate dhe nuk e arrin qëllimin e dënimit për veprat penale për të cilën ndiqen këta persona”.

Tutje ka shtuar se Gjykata Supreme ka një shkallë më të mirë të performancës për shkak të një numri më të vogël të rasteve me të cilat përballet.

Sipas tij, në Themelore dhe Apel proceset mund të zgjasin deri në 10 vjet, duke e cilësuar këtë joefiaksitet të sistemit të drejtësisë.

“Gjykata Supreme ka një shkallë më të mirë të performancës për shkak ndoshta edhe të një numri më të vogël të rasteve me të cilat përballët kjo gjykatë. Kurse nëse e shikojmë Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Themelore të njëjtat ballafaqohen me një numër shumë të madh të lëndëve me procedura të tejzgjatura ku për realizimin  e të drejtës në procedurën civile duhet që të shkojë deri në 10 vite për t’u realizuar një e drejtë e qytetarit në shkallën e parë dhe në shkallën e dytë për shkak të numrit të madh të rasteve dhe të joefikasitetit të sistemit gjyqësor”.

Edhe avokati Kushtrim Hodaj ka thënë se Gjykata e Apelit dhe Supremja marrin vendime më shpejtë krahasuar me Themeloren.

Teksa ka shtuar se Themelores i duhen në disa raste edhe 10 vjet në trajtimin e një rasti dhe nuk është shumë efektive.

“Apeli dhe Supremja vendosin në shkallë më të shpejtë sepse ato janë dyshkallshmëri dhe trishkallshmëri e kanë më lehtë, Themelorja merr kohë shumë më shumë, nuk është shumë efektive, po kur flasim për Themeloren ka disa departamente, ka departament civil kontestimor që lëndët zgjasin 5, vite, 6 vite me një shkallë apo 10 vite. Ka raste departamenti fiskal apo komercial që vendosin brenda 5, 6 muajve për një rast dhe është diskrepancë e madhe mes vendosjes së kohës dhe në kuadër të Gjykatës Themelore “.

Hodaj, ka vlerësuar se ka mungesë të profesionalizimit te një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Vendimet gjyqësore vlerësohen nga autoriteti më i lartë në këtë rast është Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese. Nëse në rast të Gjykatës Supreme kthehen rastet në rivendosje dhe tregon që gjykatat e mëparshme kanë vendosur gabimisht, atëherë tregohet që nuk a shumë profesionalizëm aty.  Nëse ato vendime miratohen nga Gjykata Supreme do të thotë që autoriteti përfundimtar i ka vlerësuar mirë. Mendoj që ka mungesë të profesionalizimit tek një pjesë”.

Ai ka pohuar se ka numër të madh të rasteve që janë kthyer në rigjykim, duke kërkuar që Apeli e Supremja në shumë raste mund të vendosin edhe vet, raporton EO.

“Rasti kthehen në rigjykim disa herë për shkak se shkallët e mëhershme, Gjykata Themelore apo Apeli nuk kanë vendosur në mënyrë meritore, nuk i kanë zbatuar drejtë të drejtën materiale, pra nuk kanë vendosur ashtu siç kërkon ligji. Po kjo mendojë që është shkallë që Gjykata Supreme dhe e Apelit do të duhej shpesh herë që të vendosin vetë, mos t’i kthejnë rastet gjithmonë në rigjykim sepse kanë të drejtë të rivendosin, sepse në këto raste po merr shumë kohë, po rifillon procedura prej fillimit pastaj po bëhet njëfarë rrethi vicioz pa përfundim”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme