FSK-ja ende e pakompletuar me ushtarë aktivë, 20 mijë rezervë të domosdoshëm në rast të krizave

Prishtinë | 08 Maj 2022 | 10:01 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova ka nevojë për ushtarë rezervë në mënyrë që të përmbushet plani 10 vjeçar i Ministrisë së Mbrojtjes për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë (FSK), i ka thënë Ekonomia Online, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria duhet ta plotësojnë planin për përmbushjen e kapaciteteve sipas ligjit.

Ai thekson se ende nuk është kompletuar as pjesa aktive e ushtarëve të FSK-së, madje nuk është filluar me pjesën rezervë e që me ligj është e paraparë të jenë 3 000 pjesëtarë.

“I kisha rekomanduar edhe ministrit edhe Qeverisë që ta plotësojnë planin dinamik 10 vjeçar për përmbushjen e të gjitha kapaciteteve sipas ligjit që është miratuar në 2018. Që ushtria e Kosovës duhet t’i ketë 5 000 aktiv dhe 3 000 rezervë dhe akoma nuk i kemi kompletuar pjesën aktive e nuk kemi filluar ende me pjesën rezervë e cila është 3 000 me ligj e paraparë. Dhe blerjen e pajisjeve, armatimeve dhe të gjitha atyre që nevojiten për forcë ushtarake që janë të parapara”.

Sipas Kastrarit në Kosovë të mjaftueshëm janë 5 000 ushtarë aktiv dhe 3 000 të tjerë rezervë, kjo edhe për shkak edhe të buxhetit.

“Rishikimi strategjik atëherë në atë kohë, 2012-2014 është bërë në kohën kur kam qenë unë komandant dhe sipas skenarëve sipas planifikimeve që është bërë në atë kohë është parapa që për Kosovën jo vetëm për nevojat ushtarake, por edhe për shkak të buxhetit, për shkak të gjendjes ekonomike të Republikës së Kosovës janë parapa që mjaftueshëm janë 5 000 aktiv dhe 3 000 rezervë dhe kjo është miratuar në atë kohë dhe është aprovuar e është bë ai plani dinamik i zhvillimit të kësaj force ushtarake”.

Kurse Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë në vend, për Ekonomia Online tha se duke e pasur edhe situatën në Ballkan dhe agresionin rus në Ukrainë, Kosova duhet t’i ketë rreth 20 mijë ushtar rezervë.
“Secila ushtri e një vendi e ka edhe pjesën rezervë pra pjesa aktive dhe pjesa rezervë në raste të një agresioni ose për vetë mbrojtje kështu që edhe Kosova ka nevojë për pjesën rezervë aktualisht ka një pjesë rezervë rreth 3 500 ushtarë të FSK”.

“Mendoj se në situatë çfarë është jo vetëm Kosova po Ballkani dhe pas agresionit brutal nga ana e Rusisë në Ukrainë, propozimi i Ministrit Mehaj që Kosova të ketë rreth 20 mijë ushtarë pasiv ose rezervë mendoj se kjo është ide e qëlluar vetëm se duhet një buxhet, duhet të ndërroj strategjia e sigurisë së Kosovës dhe kësi soji Kosova të ketë atë sasi të numrit të caktuar pra rreth 20 mijë ushtarë rezervë në raste të caktuara që të aktivizohen në rast të vetëmbrojtjes së Kosovës”.

Islami thotë se pasi që KFOR-i operon ende në Kosovë mund ta vlerësojnë se sa ushtarë aktiv i duhen vendit për mbrojtjen e sigurisë, raporton EO.
“Meqenëse në Kosovë aktualisht është KFOR-i, duke e ditur që KFOR është derivat i aleancës veri-atlanike dhe varësisht prej situatës KFOR e vlerëson se sa ushtarë duhet të ketë në Kosovë për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit tonë. Kjo nuk varet nga ne, kjo varet nga situata në të cilën gjendet qoftë vendi ynë, qoftë rajoni. Unë besoj që FSK ka ushtarë të mjaftueshëm dhe duke pasur parasysh që ushtria e Kosovës do të kompletohet me të gjithë mekanizmat e saj logjistik dhe profesional, ashtu siç thuhet që brenda 9 viteve tashmë kanë mbetur”.

“… unë besoj që në fazën në të cilën gjendet ushtria e Kosovës ka ushtarë të mjaftueshëm dhe janë duke i profesionalizuar e trajnuar. Brenda 9 viteve pritet që të profesionalizohet edhe Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë e gatshme që me forcat e veta ta mbroj sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme