Gjobat nuk pakësojnë vdekjet në komunikacion

Prishtinë | 05 Mar 2019 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Shtatë persona kanë vdekur vetëm gjatë muajit janar të këtij viti në aksidente komunikacioni ose një më shumë se sa në vitin e kaluar, në po të njëjtin muaj.

Por, sipas policisë, gjatë muajit janar ka pasur 645 persona të lënduar nga 972 sa kishte në janar të vitit të kaluar.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se referuar statistikave për këtë periudhë kohore krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ka rënie të aksidenteve në përgjithësi, por humbja e vetëm edhe një jete mbetet shqetësuese.

Ai shtoi se një ndër prioritetet e Policisë së Kosovës, është edhe bashkëpunimi në nivel të ministrive përkatëse si dhe niveleve komunale, me qëllim të ngritjes se bashkëpunimit dhe ndërmarrjes së veprimeve konkrete edhe në vendosjen e kamerave statike, të cilat do të ndikonin në ngritjen e sigurisë në trafik.

“Policia në kuadër të përgjegjësive të saj përveç aktiviteteve tjera ka formuar edhe Task-Forcën për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor, dhe plani veprues dhe parandalues i kësaj Task Force ka paraparë edhe përfshirjen, koordinimin dhe bashkërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, në pika kontrolli, akse rrugore, si dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale, të cilat së bashku me ndryshimet në ligj kanë dhëne efekt pozitiv”, tha Kelani.

Të ngjashme