Gjykata vendos për kryeinspektorin e akuzuar për ryshfet

Prishtinë | 08 Maj 2018 | 13:49 | Nga

Gjykata në Prishtinë shpalli sot aktgjykimin për akuzën për marrje ryshfeti ndaj kryeinspektorit të punës Muhamet Binaku.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, i ka shqiptuar dënim Binakut për marrje ryshfeti.

Kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hyseni, i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muajve, duke llogaritur edhe kohën prej 17 ditëve të cilën Binaku e ka kaluar në paraburgim.

Ajo tregoi se ky dënim me pëlqimin e palës mund të konvertohet në dënim me gjobë.

Lidhur me këtë, menjëherë u deklarua avokati i Binakut, Besnik Berisha, i cili deklaroi se dënimin do ta konvertojnë në atë me gjobë.

“Kërkesa jonë është që ky dënim të konvertohet në dënim me gjobë në mënyrë që të procedohet sa me shpejt me finalizimin e tij”, tha avokati Berisha.

Përveç këtij dënimi, Binaku po ashtu u dënua edhe me dënim me gjobë në shumën prej 2000 eurove, si dhe paushallin gjyqësor prej 50 eurove.

Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civil për kërkesën pasurore- juridike.

Muhamet Binaku ishte arrestuar në Prishtinë pas aplikimit të masavae të fshehta, ndërsa gjatë arrestimit i ishin gjetur një shumë e parave që akuzohet se i pranoi si ryshfet.

Binaku, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, akuzohet se më datë 22 shtator 2016 rreth orës 19:30 në kafiterinë “Sach” e cila gjendet në Bulevardin “Bill Clinton”, në Prishtinë në cilësinë e kryeinspektorit të Regjionit të Prishtinës pranë inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka kërkuar ryshfet.

Sipas aktakuzës, Binaku ka kërkuar nga dëshmitari , Liridon Zogiani, kontabilist në kompaninë “All Zone”, shumën prej 10 mijë eurove, në mënyrë që të mos e ndëshkonte për shkak të 4 punëtorëve të huaj, të cilave iu kishte kaluarafati i kontratës së punës dhe kinse duhej të ndëshkoheshin me 90 mijë euro gjobë për secilin.

Në aktakuzë pretendohet se i akuzuari nuk e ka konstatuar këtë shkelje të ligjit në inspektimin që e kishte kryer po atë ditë në kompaninë “All Zone”.

Aktakuza sqaron se Liridon Zogiani rastin e ka paraqitur në polici.

Të nësermen më 23 shtator 2016, sipas aktakuzës, i pandehuri është zënë në flagrancë pasi që nga Liridon Zogiani në kafiterinë “Sach” rreth orës 16:00 i ka marrë të hollat në shumën e kërkuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme