Grabitet TEB Banka në Bregun e Diellit

Prishtinë | 15 Mar 2017 | 15:56 | Nga

Sot në ora 15:10, policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur. Grabitja ka ndodhur në filialin e një banke e cila gjendet në rrugën “Enver Maloku” në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni policia me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg  veprimesh operative dhe hetimore, për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

Mbështetur në informatat e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet,  dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga tre persona të dyshuar, të cilët kanë qenë të maskuar dhe të armatosur. Nga gjithë kjo ngjarje nuk ka pasur persona të lënduar .

Të dyshuarit pasi kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash,  me një veturë të dyshuar, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Për të konfirmuar shumën e parave të grabitura policia është duke punuar ngushtë me zyrtarë të bankës.

Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar  të dyshuarit e mundshëm. Deri tani policia ka arrit të gjejë,  veturën e tipit Audi,  me të cilën janë larguar të dyshuarit, e cila do të konfiskohet për ekzaminim.

Drejtoria rajonale e policisë – Prishtinë ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit , kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike , andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla”- njofton komunikata e policisë.

Të ngjashme