Kamionit të “Pastrimit” i prishen frenat, godet disa vetura në Prishtinë

Prishtinë | 23 Gus 2019 | 13:33 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident i rëndë ku një kamion i kompanisë së mbeturinave ka goditur 9 vetura, raporton Ekonomia Online.

Sipas dëshmitarëve thuhet se shkaktari i këtij aksidenti ka qenë kamioni i pastrimit i Kompanisë rajonale “Pastrimi”.

Ky kamion kishte ardhur nga ana e kundërt nga Rruga “Rrustem Statovci” dhe pasi nuk ka mundur të frenojë ka dalë në anën tjetër të rrugës dhe ka goditur veturat.

Sipas dëshmitarëve bëhet fjalë për 2 të lënduar, një femër dhe një mashkull.

Dëshmitari Valdrin Berisha tha se ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi ky aksident.

Ai thotë se sipas situatës, kamionit nuk i kanë punuar frenat dhe ka dalë në anën e kundërt të rrugës me ç’rast lëndime ka marrë edhe një grua e cila gjendej në njërën nga veturat e goditura nga kamioni.

“Jam njëri nga dëshmitarët e rastit, e pash rastin siç ka ndodh, kamioni deri në udhëkryq nuk ka pasë problem, por frenat mesa di unë punëtorit nuk i kanë punu fare. Kamioni ka qenë në shpejtësi jo të madhe e kam pa që diçka nuk është në rregull sepse frenat nuk i kanë punu ka ardh nga ana tjetër dhe ka kalu në anën tjetër punëtori është lënduar kur ka pas përplasje dhe gruaja në veturë është lënduar. Gruaja ka qenë në veturë, ka pasë këmbësor, por fatmirësisht nuk është lënduar askush”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Drejtori ekzekutiv i Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, Burim Kelmendi, përmes telefonit i ka thënë Ekonomia Online, se ata i bëjnë çdo herë me rregull servisimet dhe kontrollet e makinave të kompanisë.

“Unë nuk e di qysh ka ndodhë edhe na veç sa u njoftuam me rastin, ne servisimet mekanike të veturave i bëjmë me kohë dhe rregull veprojmë sipas standardeve, këto gjëra ndodhin edhe pse nuk e dimë qysh ka ndodh dhe na vjen shumë keq”, tha Kelmendi.

Në mesin e veturave të goditura është e dëmtuar edhe vetura e këngëtarit Afrim Muqiqi.

“Makina ka qenë e djalit tim Albanit, ne jemi këtu në banim, ka qenë një krismë e madhe, kamioni ka ardhur nga pjesa e lagjes “Muhagjerve” sipas dëshmitarëve i ka humb kontrolla dhe ka kaluar në pjesën tjetër të rrugës ku makinat kanë qenë të parkuara mirë, por që i ka dëmtuar. Dëmet materiale janë jashtëzakonisht të mëdha, por po flitet që ka të lënduar shpresoj të mos ketë pasoja në njerëz”, tha Muqiqi.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, përmes telefonit i tha Ekonomia Online se në aksident janë të përfshira 9 vetura si dhe bëhet fjalë për 3 persona të lënduar të cilët janë duke e marrë trajtimin mjekësor në QKUK.

“Rreth orës 13:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku ne rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira  9 vetura dhe një kamion. Si pasojë e aksidentit deri tani ndihmë mjekësore u është ofruar tre personave. Me rastin po merren njësitet përkatëse”, tha Ahmeti

Lexo më shumë:

Të ngjashme