KMDLNj: 11 të burgosur tentuan të vetëvriten

Prishtinë | 16 Mar 2017 | 11:40 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në  burgjet e Kosovës 11 të burgosur tentuan të vetëvriten si metodë për arritjen e qëllimeve të tyre, apo përmes grevës.

Kështu thuhet në raportin e publikuar Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) për monitorimin e qendrave të ndalimit, qendrave të paraburgimit dhe qendrave korrektuese, raporton Ekonomia Online.

“Të dënuarit në disa raste kanë provuar tentimvrasjen si metodë për arritjen e qëllimeve të tyre (në Q.K Dubravë) apo përmes grevës së urisë (në Q.P Prizren dhe BSL). Në të gjitha këto raste KMDLNj ka ndihmuar ShKK-në që të zgjidhë këto raste. Janë regjistruar 11 tentimvarsje”, thuhet në raportin e KMDLNj-së.

Raporti tregon që personat me aftësi të kufizuara janë në gjendje të rëndë sepse asnjëri nga institucionet nuk ka infrastrukturë adekuate për plotësimin e nevojave të tyre. Sa i përket të personave të sëmurë mendor edhe ata janë në gjendje jo të mirë sepse gjithashtu Shërbimi korrektues nuk ka kapacitet fizik as profesional ti trajtojë këta persona.

“Kontrabanda dhe korrupsioni kanë qenë të shprehura gjatë tepër vitit 2016. Ankesa ka pasur edhe se ka korrupsion,nepotizëm,diskriminim, dhe standarde të dyfishta në aplikimin e regjimit të avancuar por edhe të privilegjeve, Rastet e korrupsionit vështirë mund të dëshmohen”, thuhet në raport.

Shala: Raporti paraqet gjendjen reale në burgje

Ndërsa sipas drejtuesve të KMDLNj-së, kushtet nëpër shërbime korrektuese janë të mira, raporton Ekonomia Online.

“Përkundër shumë problemeve që ka shërbimi korrektues i Kosovës ne jemi shumë përpara nga shtetet fqinje. Me këtë buxhet që kemi nuk mund t’i bëjmë kushtet më të mira por po them që jemi më të mirë se ata”, ka thënë Behxhet Shala, kryetar i KMDLNj-së.

Ai tha se KMDLNj nuk e ka përdorur asnjëherë në raport fjalën torturë, sepse sipas tij, populli i Kosovës është një popull i përvuajtur i dalë nga lufta dhe për shkak të plagëve ende të hapura nuk dëshirojnë të përdor këto fjalë.

“Ne si KMDLNJ nuk e përdorim fjalën torturë sepse ne si popull i dalë nga lufta  ende kemi plagë të hapura kemi ende persona të pagjetur dhe nuk duam që populli jonë të dëgjoj këtë fjalë”.

Ai tha se raporti nuk ka për qëllim që ta kritikoj dikë por as që të paraqesin gjendjen siç thotë ai zi.

“Raporti jonë nuk ka për qëllim as që të kritikoj dikë por as ta paraqesim gjendjen zi, po raportet tona më tepër kanë një karakter rekomandues të cilat ndikojnë për përmirësimin e kushteve për trajtimin e personave të privuar nga liria dhe njëkohësisht ndikon në përmirësimin e kushteve nëpër qendrat korrektuese apo shërbimeve të tjera të cilat merren me trajtimin e personave të privuar nga liria. Pra ne kemi një partneritet dhe nuk kemi konkurrencë, por kemi një partneritet konstruktiv, pozitiv, nganjëherë këto raporte nuk ju pëlqejnë, por ne nuk bëjmë raporte që t’i pëlqejnë dikujt por i bëjmë raporte të cilat prodhojnë rezultate konkrete në radhë të parë për të burgosurit pastaj edhe për shërbyesit e qendrave korrektuese”, tha ai.

Ndërsa, Sokol Zogaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të ShKK-së, tha se edhe pse nuk e ka lexuar ende raportin, gjithmonë rekomandimet që dalin nga ai merren parasysh.

“Ato rekomandime që disa janë publike dhe disa jo gjithmonë merren parasysh, vetëm ku ka kosto buxhetore kemi më shumë telashe, por gjithherë kemi qenë të interesuar dhe ja kemi arritur pjesën më të madhe të rekomandimeve. Unë nuk e kamë shfletuar raportin mirëpo pjesën më të madhe e di çka flitet”, deklaroi Zogaj.

Në raportin e monitorimit të KMDLNj-s janë përfshirë edhe 59 rekomandime që i adresohen Qendrave të ndalimit, Paraburgimit, Qendrave Korrektuese dhe Shërbimit Shëndetësor të burgjeve.

Ky është një raport i përvitshëm që e publikon KDMLNJ pas monitorimit të një viti nëpër këto qendra në gjithë vendin.

Lexo më shumë:

Të ngjashme