Kosova ka pak gjasa ta padisë Serbinë për gjenocid

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 08:14 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vlerëson se Kosova ka pak gjasa që ta padisë Serbinë për gjenocid pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

Kjo sepse, sipas tij, fillimisht Kosova nuk është pjesë e Konventës për gjenocid dhe se lufta e Serbisë ndaj Kosovës nuk llogaritet të ketë ndodhur mes dy shteteve, pasi ajo është zhvilluar brenda ish-Jugosllavisë, që ka qenë një shtet.

“Për Kosovën është problem jashtëzakonisht edhe më i vështirë sesa për Bosnjën për ta akuzuar Serbinë për gjenocid, sepse lufta në Kosovë është zhvilluar brenda një shteti që ndërkombëtarisht është quajtur Serbi dhe Mali i Zi ose Federata e Millosheviçit që është krijuar më 1992 dhe territori i Kosovës deri në ditën kur e kemi shpallur pavarësinë është konsideruar pjesë e atij”.

“Unë aty shoh pak gjasa. Kosova nuk është pjesë e Konventës së Gjenocidit. Për tu paditur shteti, duhet të jetë palë në Konventë, Kosova nuk është palë”.

Hasani thotë se as Bosnja dhe Hercegovina pas gjithë tragjedisë që ka përjetuar nuk ka arritur të dëshmojë se aty është kryer gjenocid nga Serbia, pasi vlerëson se është çështje jashtëzakonisht teknike definimi i gjenocidit.

“Por, shtetin serb boshnjakët nuk kanë arritur që përkundër gjithë asaj tragjedie për ta dëshmuar, sepse është çështje jashtëzakonisht teknike definimi i gjenocidit dhe përgjegjësia e shtetit për gjenocid në të drejtën ndërkombëtare dhe ‘Padinteri’ e ka thënë që në territorin e Jugosllavisë nuk mund të, përveç gjenocidit si vepër penale që ua kanë veshur funksionarëve e gjeneralëve serbë”.

“Në rastin e ish-Jugosllavisë, ju e dini Bosnja e ka paditur Jugosllavinë për gjenocid dhe ka humbur. Ajo e ka fituar për Srebrenicë sepse është përgjegjësi penale individuale”.

Sipas tij, përgjegjësia e shteteve është problematike, ngase krijimi i tyre është bërë nga shpërbërja e një tërësie, prandaj edhe është e vështirë që të kërkohet përgjegjësi, raporton EO.

“Sa i përket përgjegjësisë së shteteve që janë krijuar nuk mund të bëhet sepse këto shtete janë krijuar si rezultat i luftës së brendshme civile, brenda Jugosllavisë. Jugosllavia duke u shpërbërë janë krijuar shtetet tjera. Kështu që përgjegjësia e shtetit është problematike për secilin, jo vetëm për serbët, por edhe për kroatët. Fundja, çfarë ka bërë Millosheviçi, në momentin që është ndezur lufta në Bosnje, ai e ka tërhequr ushtrinë e tij”.

“Në momentin që Bosnja është njohur ndërkombëtarisht si shtet, e ka ditur që ka përgjegjësi ndërkombëtare si shtet, i ka tërhequr dhe u ka dhënë lekë, teknikë ushtarake dhe u ka thënë rregulloni uniformat dhe ushtrinë e juaj dhe mbajeni përgjegjësinë vet për veprimet atje. Me këtë ai e ka larguar Serbinë nga përgjegjësia si shtet”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme