Lartësohet vepra e Gani Paçarizit në 20-vjetorin e rënies

Prishtinë | 18 Kor 2018 | 18:31 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të shënimit të “Epopesë së Korrikut 1998”, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë mbajtur akademi përkujtimore për komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Paçarizi.

Me këtë rast është lartësuar vepra e këtij dëshmori, në 20-vjetorin e rënies. Por, pati edhe kritika se dy dekada nga lufta çlirimtare, nuk po përmbushet kauza për të cilën ata luftuan: arsim e shëndetësi më të mirë, polici dhe ushtri më të fortë etj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në pamundësi të jetë i pranishëm në këtë përkujtim, ka dërguar një telegram. “Duke kujtuar sot 20-vjetorin e ‘Epopesë së Korrikut 1998’, ngjarje me rëndësi, jo vetëm për Zonën Operative të Pashtrikut, por edhe për luftën çlirimtare në përgjithësi, ne nderojmë kontributin dhe sakrificën e të rënëve për liri. Me këtë rast kujtojmë edhe dëshmorët tanë për liri, Gani Paçarizi e Agim Kelmendi, duke mbajtur gjallë kujtimin për ta. Ne krenohemi me lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila është meritore për ditët që po jetojmë së bashku”, ka shkruar Haradinaj.

“Si kryeministër i Kosovës do të jem pranë jush gjithmonë që familjet e dëshmorëve dhe luftëtarët të jetojnë me dinjitet dhe mirëqenie të plotë”, ka theksuar kryeministri.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u shpreh se historia e popullit shqiptar është e mbushur me heroizma e sakrifica, të cilët e vulosën përfundimisht çlirimin e Kosovës në fund të shekullit të 20-të.

“Ne sot jemi krenarë që i takuam UÇK-së, një ushtri që kishte luftëtar si komandantin legjendar Adem Jashari, Zahir Pajazitin, Luan Haradinajn e Gani Paçarizin, dhe shumë dëshmorë që dhanë shembuj se si duhet luftuar për atdheun”, shtoi Gucati.

“Dëshmorët mungojnë fizikisht, por me rënien e tyre kanë shkruar përjetësinë”.

Në emër të familjes Paçarizi, të pranishmit i përshëndeti i biri i dëshmorit, Kastriot Paçarizi.

“Sot pasi kanë kaluar pothuajse dy dekada nga lufta e shenjtë çlirimtare, dëshmorëve u kemi ngritur lapidare, kemi emëruar sheshe, rrugë, shkolla në emër të tyre; por e kemi anashkaluar një gjë shumë të rëndësishme: kauzën e tyre të shenjtë për të cilën ata luftuan dhe ranë”.

“Në vend që t’i emëroni këto institucione në emër të tyre, do të duhej të përkushtoheshim për një arsim të frytshëm, për një sistem shëndetësor të shëndoshë, për një polici dhe ushtri të fortë. Nëse këto do të ishin në nivel të duhur, atëherë ne do të mund të shkonim ballëlartë në varrezat ë tyre dhe të u themi lavdi ju qoftë sepse sot Kosova është ashtu siç ju e deshët”, u shpreh Paçarizi.

Porosia e tij për të rinjtë ishte që të arsimohen dhe të punojnë fort për të ardhmen e vendit.

Lexo më shumë:

Të ngjashme