Menaxheri i klubit për rrahjen masive në Prishtinë, gjithçka nisi pasi gjuajti me një këpucë

Prishtinë | 09 Shk 2020 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Një rrahje masive ka ndodhur rreth orës 01:10 pas mesnate afër një klubi të natës në lagjen Kalabria në Prishtinë.

Nga rrahja ka pasur edhe të lënduar, të cilët kanë marrë tretman mjekësor në QKUK.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës ka thënë se nuk është regjistruar një incident i tillë.

Menaxheri i klubit ku fillimisht dyshohej se ka ndodhur rrahja, ka mohuar që rrahja të ketë ndodhur brenda klubit.

Megjithatë, ai ka treguar për një rrahje e cila siç thotë, ka ndodhur jashtë. Si pasojë e kësaj rrahjes, xhamat e klubit të natës janë thyer.

“Jashtë pak diçka ka ndodhë, por brenda jo, s’ka ndodhë kurrgjë. Jashtë me të tregu drejt s’jam në rrjedha. E di që pak ishin kapë, njëri e ka gjujtë një këpucë, i ka thy xhamat. Për ma shumë Policia e di. Për çfarë arsye, qysh, tek, s’e di. Policia kanë qenë aty, kanë qëndru nja 20 minuta”, ka thënë ai për Gazetën Sinjali.

Menaxheri thotë se Policinë e kanë kontaktuar ata.

“Do xhama naj kanë thy prej kallaballakut dikush, po na nuk jemi marrë me atë punë. E kemi thirrë Policinë, e kanë marrë punën në dorë edhe kanë ecë”, ka thënë ai.

Se nuk ka pasë rrahje brenda, menaxheri i klubit ka thënë se e dëshmojnë edhe kamerat e sigurisë, derisa ka shtuar se ndeja ka kaluar pa incidente deri në orën 03:00 pas mesnatës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme