Ndezja e zjarreve, zjarrfikësit për gjashtë muaj intervenuan në 1026 raste

Prishtinë | 13 Kor 2019 | 08:11 | Nga Nexhmije Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Latif Zeka, ka thënë se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti ka pasur numër më të madh të zjarreve krahasuar me vitet paraprake.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online thotë se muaji mars ka qenë më i theksuar sa i përket përhapjes së zjarreve, e kjo për shkak të thatësirës së madhe.

Zeka thotë se në këtë gjashtë mujor të këtij viti kanë pasur 1026 raste ku është dashur intervenimi i zjarrfikësve.

Vetëm në muajin mars, ai thotë se zjarrfikësve iu është dashur të intervenojnë në 345 raste.

“Në krahasim me vitin e kaluar dhe vitet paraprake, sivjet kemi pasur zjarre posaçërisht në këta 6 muaj më shumë se përpara, ka qenë i theksuar muaji mars ku i kemi pasë 345 dalje domethënë edhe muajt e tjerë mirëpo ky ka qenë më i theksuar për shkak të thatësirës së madhe që ka qenë gjatë dimrit dhe edhe zjarret kanë qenë më të mëdha, deri më tani kemi 1026 dalje domethënë për këtë 6 mujorin e parë”, tha ai.

Zeka ka treguar se përgjatë kësaj periudhe, zjarrfikësit kanë intervenuar edhe në dy aksidente ku pasojat kanë qenë fatale.

“Pasojat e këtyre zjarreve kanë qenë të vogla se kryesisht kanë qenë sipërfaqësore, domethënë aty ku njerëzit kanë pastruar pronat e veta po edhe nëpër pyje, por nuk ka dëme të mëdha, për fat të keq përgjatë kësaj kohe periudhe kemi pasur dy të vdekur në aksidente të komunikacionit ku intervenojmë edhe ne.

Zeka ka folur edhe për kapacitetet aktuale që kanë zjarrfikësit e Kosovës.

 “Për momentin i kemi 98 zjarrfikës plus i kemi 5 të Fushë Kosovës të cilët punojnë dhe veprojnë në kuadër të zjarrfikësve domethënë 103, sipas popullatës dhe sipas një ligji që është 1500 banorë një zjarrfikës Prishtina duhet t’i ketë së paku 200 zjarrfikës, kur dihet se Prishtina, brigada e zjarrfikësve të Prishtinës i mbulon edhe tri komuna të tjera, Fushë Kosovën, Obiliqin, Graçanicën dhe Prishtinën”, tha Zeka.

Zeka ka bërë thirrje që të mos ndizen zjarre në tokat bujqësore pas korrje-shirjeve.

Ai ka përcjellë mesazhin e ekspertëve të bujqësisë se ndezja e zjarreve vetëm  e varfëron tokën dhe nuk i ndihmon aspak.

“Posaçërisht ekspertët e bujqësisë po bëjnë apel edhe nëpërmes medieve dhe kanë thënë se vetëm e varfërojnë tokën dhe nuk e ndihmojnë aspak, domethënë ata po apelojnë me të madhe që mos të ndezën se vetëm shkaktojnë dëme jo të mira”, u shpreh Zeka për Ekonomia Online.

Zeka u pyet edhe për intervenimet e shpeshta që kanë pasur kohët e fundit në shumë objekte banesore. Duke mos dashur të jap shumë detaje rreth këtyre rasteve, ai tha se me këto çështje më shumë merren ekspertët e parandalimit të zjarrit.

“Ne kryesisht nuk merremi me këto janë ekspertët e parandalimit të zjarrit dhe janë Policia që merren me këto, po kemi pasur kohën e fundit zjarre edhe nëpër banesa kemi pas edhe në çati të banesave edhe shtëpi”, tha Zeka.

Ai ka treguar për Ekonomia Online se ende mbetën të hapura 17 vende të lira dhe shpreson që shpejt të hapet konkursi për këto vende.

“Për fat të keq vetëm u thelluar ky mospranim i zjarrfikësve, për momentin kemi  17 vende të lira po shpresoj dhe besoj që në këtë javë qe vjen ose në dyjavëshin e parë do të shpallet edhe konkursi për këto 17 vende të lira të punës”, tha ai.

Lexo më shumë:

Të ngjashme