Një muaj paraburgim për burrin nga Podujeva për ngacmim seksual ndaj të miturit

Prishtinë | 28 Kor 2022 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Podujevë, ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit D.B për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B e ka aprovuar si të bazuar, njofton gjykata.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, “Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – i mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të pandehurin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Në media është raportuar se viktima e rastit ka qenë 17-vjeçar, ndërsa i pandehuri mbi 60-vjeç.

Të ngjashme