Gjendja e mësueses që u ther me thikë është stabile, flasin kolegët e saj

Prishtinë | 30 Pri 2019 | 12:45 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjendja shëndetësore e Vlora Pecit, mësuese në shkollën “7 Marsi” në Prishtinë, e cila u godit sot me thikë nga një prind, është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, raporton Ekonomia Online.

Doktoresha Dafina Basholli që po e trajton mësuesen, ka thënë se gjendja e saj është stabile.

Doktoresha Basholli ka thënë se mësuesja Vlora Peci është therur me thikë në abdomen.

“Ka therje me thikë në abdomen. Për momentin gjendja e pacientes është stabile. Janë marrë të gjitha ekzaminimet e mundshme, terapia i është dhënë dhe tani pranohet në Kirurgjinë Abdominale”, ka thënë ajo.

Hyke Rexhaj, arsimtare e Artit Figurativ në shkollën “7 Marsi”, ka thënë se mësuesja e therur sot nuk ka pasë probleme me askënd dhe kjo ngjarje i ka shqetësuar shumë edhe nxënësit.

“E kam njohur këtë mësuese, ka qenë një edukatore mjaft e shkëlqyeshme, e mirë, probleme nuk ka pasë dhe unë nuk e di se pse ka ardhur në këtë përfundim, sot kjo ngjarje ka qenë shumë dramatike, për ne dhe nxënësit. Unë nuk kam dëgjuar se ajo mësuese që ka pasë ndonjë problem me nxënës e as me fëmijë. Tash fëmijët nuk janë të qetë me vet faktin që ka ndodhë një aksident i tillë brenda objektit apo institucionit”, tha ajo për Ekonomia Online.

Një nënë që dërgon fëmijët në këtë shkollë, Florie Mustafa, tha se e plagosura  ka qenë mësuese e mirë dhe e dashur për fëmijët.

Mustafa tha se rasti i sotëm e ka prekur pasi që kanë punuar disa vite me të dhe se sipas saj, asnjëherë nuk ka ndodhur ndonjë problem.

“Shumë jemi të shqetësuar, ka qenë një mësuese e mirë dhe s’ka pasur problem kurrë, jemi çuditur shumë. Jena të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve sepse kur ndodh një herë po ndodh prapë, por mësuese e mirë ka qenë boll, për nxënës ka qenë e sjellshme edhe me prindërit dhe të gjitha. Unë e kam pas fëmijën parashkollor tek ajo por ka qenë tepër e mirë”, tha Mustafa.

Plagosja e mësueses në Prishtinë, arrestohet një femër

Një mësuese e klasëve parashkollore e shkollës fillore “7 Marsi”, është therur me thikë.

Policia thotë se sot rreth orës 10:30, marrë informacionin se në një shkollë në lagjen Kalabria në Prishtinë, ka ndodhur një përleshje fizike mes dy personave.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me një rast lëndim trupor ku viktima.

V.P, femër , 49 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, ka marrë plagë nga arma e ftohët (thikë) dhe e njëjta menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Lidhur me rastin në fjalë policia ka arrestuar personin e dyshuar : • B. D, femër , 38 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe është konfiskuar mjeti i cili dyshohet të jetë përdorë në këtë rast.

Aktualisht hetuesit policor janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ne përpjekje për te ndriçuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarje.

Drejtoresha e shkollës “7 Marsi”, Shpresa Çitaku, ka thënë për Ekonomia Online se ende është në traumat e ngjarjes dhe se gjendja e mësueses që për momentin gjendet në trajtim në QKUK është jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se një prind i një nxënëse në parashkollor ka sulmuar me thikë një mësuese edukatore në vendin e saj të punës.

“Sapo vizitova mësuesen në QKUK dhe për fat të mirë ajo është larg rrezikut për jetë. Sulmuesja është arrestuar dhe policia po e heton rastin. Mësueses, që me dekada punon në Komunën tonë për të përcjellur dhe përgatitur gjenerata të parashkollorëve, i urojmë shërim të shpejtë”, ka shkruar kryetari Ahmeti. 

Lexo më shumë:

Të ngjashme