Ramadani: Serbia dhe Rusia nuk e pengojnë Ushtrinë, FSK-ja ka aleat ShBA-në

Prishtinë | 19 Jan 2019 | 07:54 | Nga Lirik Sylmetaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleancë e fortë është parë tash e sa kohë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, siç është Ushtria e Kosovës. Por kjo marrëdhënie mes këtyre dy shteteve, nuk do të ndikojë në aspektin ushtarak dhe mbrojtës të Kosovës.

Në një intervistë për Ekonomia Online, zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, qasjen e Rusisë dhe Serbisë karshi Ballkanit Perëndimorë e quan “Samiti Anti-NATO).

Madje Ramadani edhe përfaqësuesit e Listës Serbe në Kosovë, i vlerëson të jenë instrumente të vetos ruse në raport me Kosovën.

“Në rastin e Kosovës sigurisht që në çështje konkrete fare nuk do të ketë ndikim në aspektin  ushtarak dhe të mbrojtës, kjo nuk mund të ndërlidhet me ndikimin negativ, fatkeqësisht kanë kaluar vite e vite të tëra e cila procesi i transformimit të FSK-së në Ushtrisë është mbajtur peng saktësisht nga veto ruse përmes përfaqësuesve të caktuar politik në Kosovë që nuk kanë lejuar ndryshimin  kushtetutës, sidoqoftë ne e kemi tepër qartë se në këto momente janë jashtëzakonisht të rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe Ballkanin por poashtu edhe për NATO-n dhe Bashkimin Evropian, sepse është formalizuar ose zyrtarizuar në këtë atë që po i them samiti anti NATO në Beograd me ardhjen e Putinit”, u shpreh Ramadani për Ekonomia Online.

Sa i përket raporteve me NATO-n, Ramadani pohon se ato janë të njëjta dhe nuk kanë qenë të luhatshme asnjëherë, pavarësisht formimit të Ushtrisë dhe deklarimeve të kreut NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai shton se ka diskutime të përditshme për gjetjen e mënyrave më të mira që të thellohet bashkëpunimi, derisa Kosova synon të jetë shtet anëtar i NATO-s.

Sipas Ramadanit, problematike mbesin ato shtete anëtare të NATO-s, të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës, gjegjësisht edhe Ushtrinë e vendit.

“Raportet e deri më tashme as nuk janë luhatur as nuk janë zbehur përkundrazi ne po diskutojmë për thellimin e këtyre raporteve do të donim që gjitha shtetet anëtare të NATO-s të njohin shtetin e Kosovës dhe rrjedhimisht edhe Ushtrinë e saj, por është e qartë se megjithatë brenda NATO-s kemi katër shtete jo njohëse, jo gjitha kanë qasje jo kontrstuktive ndaj shtetit të Kosovës por vendimmarrja në NATO, është vendimmarrje konsensuale, pra secili shtet i NATO-s ka veto në vendime prandaj aksepti i deritashëm është komplet i njëjtë i bashkëpunimit. Synimi ynë është të thellohet bashkëpunimi dhe të formalizohet në marrëveshje kontraktuale mes NATO-s dhe Kosovës dhe kjo do të jetë në periudhën që vjen”, tha Ramadani.

Sipas tij, edukimi profesional por edhe pajisjet ushtarake janë të ndërlidhura njëra me tjetrën.

Për Kosovën, aleati kryesorë mbesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë Ramadani për Ekonomia Online.

“Aleati ynë kryesor është SHBA dhe lidhja jonë në tersi është speciale mes Kosovës dhe ShBA-së, nuk lidhet me kundërshtim ose me reagim ndaj aleatëve tjerë në Ballkanin Perëndimor, kjo është lidhje tradicionale e krijuar por sigurisht që ne me kujdes i përcjellim lëvizjet edhe në shtetet tjera e sidomos ato që kane të bëjnë me aktivitete armiqësore siç janë federata ruse dhe Rusia. por, kjo nuk e lëkund dhe nuk e ndryshon orientimin tonë të qartë, pro perëndimor, pro NATO, dhe me lidhje speciale me SHBA-në”, tha ai.

Edhe marrëdhëniet bilaterale me shtetet tjera, sipas zëvendësministrit të FSK-së, janë duke u thelluar edhe në kuptimin e sistemit të armatimit dhe profesionalizmit.

Sipas Ramadanit, këto janë katër fushat kryesore konceptuale dhe operacionale të cilat FSK do të merr mbështetje të vazhdueshme të modelit amerikan që është në thelb model i NATO-s.

Ndërsa miratimi i tri ligjeve për FSK-në dhe për Ministrinë e Mbrojtjes, tashmë kanë vendosur një nivel tjetër edhe të bashkëpunimit me shtetet aleatë të Kosovës.

“Në fazën e parë ne kryesisht do të merremi me riorganizimin e brendshëm të ministrisë dhe të FSK-së, ndërkaq në raportet bilaterale por edhe multilaterale me shtetet, komunikimi është thelluar mbi synimin ose qëllimin që Kosova të jetë kontribuuese për sigurinë rajonale dhe globale, pra mund të them që ka thellim të komunikimit dhe të diskutimit e synimit për bashkëpunim me shtetet veç e veç por edhe me shtetet në grup”, pohon zëvendësministri Ramadani.

Sa i përket mjeteve të Qeverisë së Kosovës karshi Ushtrisë së vendit, Ramadani tha se buxheti nuk është pengesë për zhvillimin e FSK-së.

Sipas tij, ka plan të qartë dhe të detajuar për rritje graduale dhe të vazhdueshme të buxhetit për FSK-në poashtu të programit mbrojtës në tersi.

“Sigurisht që momentalisht është i mjaftueshëm dhe me rritjen e GDP-së dhe buxhetit  të Kosovës, investimi në mbrojtje dhe FSK do të jetë edhe më i madh. Ajo që mund të them është që neve na ka munguar vendimi politik për ligjet, pra Kosovës i kanë munguar ligjet për ushtri kurse buxheti për kapacitetet e FSK-së nuk është pengesë për zhvillimin e saj, pra nuk bëhet fjalë për mangësi buxhetore, përkundrazi bëhet fjalë për një hapësirë jashtëzakonisht të mirë që FSK të forcohet dhe profesionalizohet, sigurisht kemi edhe një numër jashtëzakonisht të madh bashkëpunimit me shtete të ndryshme dhe donacione të ndryshme, dhe si të tilla rritja e buxhetit në mënyrë të vazhdueshme sigurisht që do ta mundësoj që FSK ta kryej detyrën e vet në mënyrë profesionale”, u shpreh Ramadani.

Përndryshe, menjëherë pas miratimit të pakos prej tre ligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, është thënë se edhe kapacitetet e Ushtrisë do të dyfishoheshin.

Gjatë këtij viti, pritet që të dyfishohet numri i pjesëtarëve të FSK-së. Ndërsa i gjithë procesi i rikonstruktimit dhe riorganizimit të Ushtrisë do t’i merr Kosovës kohë prej disa vjetësh.

Lexo më shumë:

Të ngjashme