Rasti “Stenta 1”, Ferid Agani dhe Gani Shabani lirohen nga akuzat për korrupsion

Prishtinë | 01 Gus 2022 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues për Ferid Aganin, ish-ministër i Shëndetësisë dhe Gani Shabanin, ish-sekretar i kësaj ministrie, të akuzuar për korrupsion në rastin e njohur si “Stenta 1”.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga gjykatësi Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas gjykatësit Krasniqi, nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë, pasi që paraprakisht prokurorja kishte ndryshuar dispozitivin e aktakuzës.

Andaj, ai tha se në mungesë të provave të akuzuarit Agani dhe Shabani, lirohen nga akuza.

Sipas këtij aktgjykimi, shpenzimet procedurale bien në barrë të gjykatës.

Ndryshe, në fjalën përfundimtare më 29 korrik 2022, prokurorja Florie Shamolli ndryshoi dispozitivin e aktakuzës dhe këtë e bëri konform nenit 350 të Kodit të Procedurës Penale dhe atë për sa i përket pjesës ku thotë se “nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit” dhe vlerës së dëmit të shkaktuar.

“Arsyeja pse unë jam tërhequr nga pjesa ku thotë se “nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit”, ne kemi një ekspertizë të prokurimit e cila konstaton se subvencionet nuk i nënshtrohen ligjit të prokurimit dhe kjo ka qenë arsyeja pse unë e kam bërë tërheqjen në atë pjesë”, ka thënë prokurorja Shamolli.

Ndërsa, vlera e dëmit sipas saj nuk është 4 milionë e 555 mijë e 553 euro siç ishte përcaktuar më parë në aktakuzë, por 11 mijë e 450 euro, shumë kjo për të cilën prokurorja tha se ishte sipas ekspertit financiar.

Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.

Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani u gjykuan veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.

Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, akuzoheshin se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Sipas aktakuzës e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani e bëri në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik, mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Derisa rasti “Stenta 1”, kishte marrë njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Në këtë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet. Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë. /BetimipërDrejtësi/

Të ngjashme