Reagon Sindikata e Policisë, lidhur me rastin e suspendimit të zyrtarëve policor në Gjakovë

Prishtinë | 16 Gus 2019 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh indinjatën dhe shqetësimin e gjithë anëtarësisë dhe të punonjësve të Policisë së Kosovës që i përfaqëson lidhur me situatën e krijuar kohëve të fundit përkitazi me prezantimin dhe linçimin përmes një numri të mediave të shkruara dhe atyre elektronike ndaj një numri të zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës lidhur me rastin e suspendimit të eprorëve dhe zyrtarëve policor në Gjakovë, si dhe rasti i trajtimit të zyrtarëve policor të angazhuar në rastin e deportimit të 6 shtetasve turq më 29.03.2018 nga Kosova.
Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre edhe në këto raste, sikur veprojnë edhe në të gjitha rastet e tjera gjatë zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, me përpikëri i kryejnë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në harmoni me dispozitat ligjore qe janë në fuqi duke i shërbyer vendit me dinjitet dhe profesionalizëm. 
Është brengosëse se si ata pa fajin e tyre prezantohen dhe linçohen pa bazë edhe pse ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e hetimit lidhur me këto raste. Në këto raste zyrtaret policor kanë zbatuar procedurat e parapara me dispozitat ligjore, Ligjit për Policinë, Ligjit për të Huajt dhe ligjeve tjera në fuqi, procedurat e parapara dhe asgjë tjetër. Është e pajustifikueshme që gati pas një viti të rastit të ndodhur në Gjakovë të suspendohen epror dhe zyrtar policor të këtij stacioni. Theksojmë, pa tendencë për të ndikar në rrjedhat e procedurës që janë duke u zhvilluar në organet kompetente të drejtësisë, këta zyrtar duhet të kthehen në vendet e tyre të punës, ndërsa procedurat në organe kompetente të vazhdojnë. 
Kohëve të fundit jo vetëm në këto raste por edhe në shumë raste të tjera Policia e Kosovës është duke gjetur përkrahjen dhe mbështetjen te qytetaret e vendit tonë dhe kjo na gëzon, andaj këtë mbështetje kërkojmë ta kenë nga të gjitha institucionet e vendit, e veçmas nga institucionet për siguri në vendin tonë, duke krijuar kushte sa më të mira të punës, analog sikur i kanë të gjitha policitë e tjera në shtetet demokratike.
Sindikata e Policisë së Kosovës mbështet të gjitha veprimet e Policisë së Kosovës që janë të bazuara në ligjet në fuqi dhe kryerjen detyrave me dinjitet dhe profesionalizëm. Nëse vazhdon një përbuzje dhe trajtim i tillë i këtyre pjesëtarëve nga kushdo qoftë, sindikata do të shfrytëzoj të gjitha mjetet sindikale që ka në dispozicion për tu dal në mbrojtje. Sindikata kërkon nga institucionet e vendit të kryejnë obligimet e tyre karshi obligimeve që kanë ndaj këtij shërbimi.

Të ngjashme