Trajtimi i të burgosurve sipas standardeve, s’ka buxhet për shërbime shëndetësore cilësore

Prishtinë | 28 Maj 2022 | 08:46 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Krahasuar me vendet e rajonit, trajtimi i të burgosurve në vend është në nivelin e duhur, por brengë mbetet ofrimi i shërbimeve shëndetësore të cilat nuk janë të mjaftueshme për t’i përmbushur nevojat e të burgosurve.

Ismail Dibrani, zëvendësdrejtor  i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) në një intervistë për Ekonomia Online tha se në bazë të raporteve të OJQ-ve vendore dhe atyre ndërkombëtare të burgosurit trajtohen me dinjitet dhe konform rregullave e konventave ndërkombëtare.

“Siç jeni në dijeni edhe ju ne monitorohemi nga shumë organizata jo qeveritare lokale dhe ndërkombëtare edhe në të gjitha raportet, ne kemi dalë që i respektojmë rregullat dhe plotësohen standardet e kërkuara ndërkombëtare. Trajtimi i të dënuarve në institucionet korrektuese dhe të paraburgimit është i dinjitetshëm dhe bëhet konform rregullave dhe konventave ndërkombëtare”.

Dibrani thotë se në momentin kur ka pretendime se ka shkelje të të drejtave të njeriut, ato adresohen dhe veprohet bazuar në ligjet në fuqi.

“Në çdo rast, në momentin kur ka pretendime për shkelje të të drejtave të njeriut apo shkelje e të drejtave të garantuara me aktet nënligjore dhe ligjet në fuqi. Ne i adresojmë edhe nuk mbetet as edhe një rast i vetëm pa u rregulluar si duhet. Natyrisht se janë qendra korrektuese ku njerëzit provohen nga liria dhe mund të ketë probleme edhe telashe të natyrave të ndryshme por, nuk ka rast që nuk adresohet në institucionet përgjegjëse”.

Ai ka bërë të ditur për EO tha se janë në pritje për të ndryshuar disa ligje, ku në bazë të sjelljes të së burgosurve do të rritet pushimi, lirimi i përshkallëzuar, pezullimi për shkaqe shëndetësore etj.

“Ne veç jemi në pritje të ndryshimit të ligjit, ka kaluar në lexim të parë ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale. Ju e dini se më herët të dënuarit i kanë pasur vetëm 7 ditë të rregullta për vikend në shtëpi, tani më me plotësim-ndryshimin e ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale të dënuarit do ti kenë 14 ditë të rregullta në vit. Çdo herë po flasim për të dënuarit që kanë sjellje të mira, nuk bien ndesh me rendin shtëpiak. Po ashtu edhe 7 ditë të jashtëzakonshme. Të dënuarit do të kenë mundësi edhe lirimin e përshkallëzuar, domethënë deri tani kemi pasur vetëm 3 muaj lirim të mëhershëm”.

“Tani do të ketë varësisht prej kohëzgjatjes së dënimit 5-10 vite më tutje. Domethënë 3 muaj lirim të mëhershëm, 6 muaj por edhe 9 muaj. Po ashtu pezullimi për shkaqe shëndetësore e dini që ka qenë me kohë të caktuar 3 muaj, 6 muaj tani do të jetë lirimi deri në shërimin e plotë. Po ashtu është edhe avancimi sa i përket të drejtës së ankimimit në panelin për lirim me kusht. Ka pasur shumë vërejtje dhe shqetësime të arsyeshme nga OJQ për mungesën e të drejtës për ankesë për të dënuarit sa i përket mendimit për panel për lirim me kusht”.

Ai thotë se kanë avancuar edhe trajtimi i rasteve psikiatrike, pasiqë në Dubaravë do të vihet  në funksion Instituti për trajimin e të burgosurve me këto probleme.

“Po ashtu kemi avancuar edhe sa i përket trajtimit të rasteve psikiatrike. ShKK në bashkëpunim me Departamentin shëndetësor të Kosovës ka themeluar Institutin për trajtimin e personave me nevoja të veçanta. Ky projekt është mbështetur nga Ambasada Amerikane dhe është mbështetur fuqimisht nga ministrja e Drejtësisë e cila e ka shtyrë përpara këtë projekt dhe është votuar në parlamentin e Kosovës. Tani do ta kemi në Dubravë, Institutin në të cilin do të vendosen 60 persona që janë raste të rënda psikiatrike edhe sigurisht edhe përdorues të narkotikëve”.

Bexhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njëriut (KMDLNj) thotë se nëse bëhen krahasime me vendet e rajonit, në Kosovë trajtimi i të burgosurve është brenda normale të lejuar.

Por ai thotë se ata të cilët kanë kontribuar në ShKK janë larguar nga loja e tani po merren njerëz jo kompetent.

“Realisht kur flitet për trajtimin e të burgosurve në Kosovë atëherë bëhen krahasime me vendet e rajonit jo me vendet që e kanë një standard më të lartë të trajtimit ku të drejtat e njeriut e kanë një vlerë më të madhe. Por, sa i përket rajonit, Kosova nuk është keq. Kosova është mirë për kundër faktit që tash  Shërbimi Korrektues i Kosovës është në njëfarë udhëkryqi po bëhet njëfarë transformimi i Shërbimit Korrektues, është transformim negativ sepse të gjithë ata të cilët kanë kontribuar për ShKK,  me të cilët ShKK ka ecur përpara janë përjashtuar nga loja dhe në vend të tyre kryesisht po merren njerëz jo kompetent të cilëve iu duhet një kohë për ta mësuar zanatin”.

Shala shtoi se ushqimi në burgje është në nivelin e duhur mirëpo sa i përket shërbimeve shëndetësore ai thotë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për t’i përmbushur nevojat e të burgosurve.

Sipas tij, mjekët që punojnë në burg duhet të stimulohen duke pasur parasysh edhe shkallën e rrezikshmërisë, raporton EO.

“Po në përgjithësi ushqimi i plotëson nevojat kalorike, sasiore, për punën që e bëjnë apo se nuk e kanë ndonjë angazhim tjetër të madh. Shërbimi shëndetësorë është një brengë, kur ta shihni për shembull çfarë shëndetësie kemi publike atëherë, nuk mund të keni një shëndetësi tjetër nëpër burgje. Asnjë mjek nuk shkon të punoj në burg ku është shkalla e rrezikshmërisë shumë më e lartë, me një pagë simbolike apo me një pasiguri. Ata do të duhej ta kishin, një status të veçantë. E kam fjalën për punëtorët shëndetësorë, të stimulohen më shumë në mënyrë që ata ta gjejnë një vend të punës pak më afatgjatë”.

“Shërbimi shëndetësorë i burgjeve bënë përpjekje maksimale mirëpo nuk ka buxhet të mjaftueshëm për t’i përballuar nevojat e të burgosurve të cilët janë në vuajtje të dënimit dhe këtu duhet të bëhen ndryshime ku shërbimi do ta ndërtonin një qendër spitalore ku do t’i kishte të gjitha profilet e mjekëve dhe atëherë do të kursenin edhe për transport”.

Shala për Ekonomia Online tha se duke pasur parasysh njëherë pandemia e tash kriza ekonomike, trajtimi i të burgosurve bëhet me mundësitë që i ka shteti, e që momentalisht nuk ka mundësi të bëhet më shumë.

“Tash gjithmonë kur flitet për trajtimin e të burgosurve e kemi parasysh çfarë shteti keni. Në qoftë se e shihni të gjitha këto probleme, pandemia, kriza ekonomike e të gjitha atëherë trajtimi është në përputhje me mundësitë objektive që i ka shteti. Për momentin nuk ka mundësi më shumë me bë për ta. Mirëpo ne kemi vërejtje apo kemi kërkesa që një numër i madh i të burgosurve të angazhohen ta zëmë në punë. Nuk janë të angazhuar sa duhet ose kanë një punë krye dite”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme