“Vjen me Rang Rover”, policët e arrestuar për korrupsion në Morinë, dalin përgjimet për Zaimina Vasjarin

Prishtinë | 11 Pri 2022 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e aksionit të SPAK në doganën e Morinës.

Në një episod të përgjimeve të SPAK-ut, protagoniste është edhe artistja Zaimina Vasjari.

Për të kaluar doganën me fëmijë të mitur duhet të kesh një prokurë nga prindi tjetër, por me ndihmë të policëve të korruptuar, kjo u bë krejt e thjesht për këngëtaren, e cila ka kaluar fëmijët e saj në kufi pa prokurën e posaçme, shkruan abcnews.al

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se në datën 02.01.2022, ora 10:57, në aplikacionin “Whatsapp”, shtetasi i regjistruar me emrin “Tani Durrës” i thotë Laert Sulos me mesazh:

Tani: “Është nusja e një shoku të ngushtë me kalamajtë aty Morinë, po s’ka prokurë, Zaimina Vasjari.

Laert Sulo – polic: Kur do kthehet?

Tani: Ja ta pyes… dy ditë, datë 4 ka kthim.

Laerti: Ok, çfarë makine ka ose jepi numrin tim të flas me të.

Tani: ‘Range Rover’.

Laerti: Ok”.

Menjëherë më pas, ora 11:00, Laert Sulo ia kalon me mesazh targën e automjetit të shtetases si porosi për ta ndihmuar punonjësin e policisë, Emilton Asllanaj me detyrë përgjegjës turni në kufirin Morinë, duke i thënë:

Laert Sulo: Ndihmoje pak është duke ikur për në Kosovë, duhet ta njohësh, Zaimina Vasjari.

Emiltoni: Jepi numrin tim”.

Nga verifikimi në sistemin TIMS rezulton se shtetasja Zaimina Vasjari ka kryer dalje nga Shqipëria me datë 02.02.2022 dhe ka hyrë në datë 04.02.2022, duke kaluar kufirin me mungesë dokumentacioni për fëmijët e mitur, duke u favorizuar dhe ndihmuar nga punonjësi i policisë Emilton Asllanaj, kundrejt porosisë të marrë nga shefi i stacionit, Laert Sulo. Po ashtu, nga verifikimi në sistemin TIMS rezultojnë të regjistruar edhe dy fëmijët e saj të mitur.

Të premten e kaluar, policia e Kosovës në bashkëpunim me atë të Shqipërisë kanë vazhduar operacionin “Pika” për arrestimin e policëve për marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të IKP-së dhe SPAK-ut, u arrestua një numër i madh policëve në kufirin Morinë-Vërmicë.

Të ngjashme