Sindikalistët ultimatum Kurtit: I ke vetëm 15 ditë kohë që të përgjigjesh në kërkesat tona

Prishtinë | 27 Maj 2022 | 19:36 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK) nëpërmjet një ndërmjetësuesi të licencuar i kanë dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti një shkresë përmes të cilës i japin ultimatum 15 ditë që të përgjigjet.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj për Demokracia.com tha se nëpërmjet kësaj shkrese shpresojnë që të ketë një dialog mes sindikatave dhe Qeverisë.

“Ne si SBASHK dhe BSPK e kemi autorizuar një ndërmjetësues që ai të dërgojë një shkresë sipas ligjit që të nxisë dialogun mes neve dhe qeverisë, sepse me ligjin e grevave është hapi i fundit para se të shkohet në greva të përgjithshme. Ligji i grevave thotë se nëse sindikatat nuk e përdorin këtë mundësi do të thotë ndërmjetësuesin e licencuar, që ai të provojë të nxisë dialogun mes sindikatave dhe qeverisë, atëherë grevat e përgjithshme do të konsideroheshin jo legjitime. BSPK-ja dhe ne e kemi bërë këtë hap duke e respektuar ligjin e grevave, por dhe duke e shfrytëzuar mundësinë e fundit që të vije deri te dialogu, pra përmes ndërmjetësuesit të licencuar. Në të kundërtën nëse harxhohet edhe kjo mundësi dhe qeveria nuk përgjigjet në afat prej 15 ditësh, atëherë sindikatat kanë të drejtë ligjore që të shkojnë në grevë të përgjithshme”, tha Jasharaj.

Kërkesat e sindikalistëve janë vazhdimi i pagesës prej 100 eurosh për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së; Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor dhe; Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shkruan Demokracia.com.

Ditë më parë BSPK, SBASHK, dhe sindikatat e sektorit publik kanë protestuar për plotësimin e këtyre kërkesave nga Qeveria.

Qeveria e Kosovës dhe sindikatat duket se e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë gjuhë të përbashkët.

Sindikalistët thonë se Qeveria as që i merr parasysh kërkesat e tyre, që lidhen me kushtet e punës; Qeveria hesht përballë kritikave.

Të ngjashme