Sindikata e Policisë: IPK-ja arrestoi policë pa prova

Prishtinë | 09 Gus 2022 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Policisë së Kosovës gjithmonë ka reaguar për arrestimet e zyrtarëve policorë që janë bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

Sipas një komunikate për media, vërejtjet dhe kërkesat e Sindikatës së Policisë kanë qenë që IPK-ja të mos bëjë veprime spektakulare dhe të gjitha veprimet e IPK-së të jenë profesionale dhe arrestimet të bëhen duke siguruar prova të qëndrueshme para veprimeve të tyre.

“Sindikata e Policisë së Kosovës, arrestimet e fundit në pikat kufitare, i konsideron të papranueshme për faktin se, zyrtarët policorë janë trajtuar si kriminelë dhe janë akuzuar për vepra kriminale, pa siguruar prova për veprat e pretenduara nga IPK-ja, këtë që po e themi e vërteton edhe Vendimi me nr.PPS nr. 13/2022, me numër të lëndës 2022:0018374, i lëshuar me datë 02.08.2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për ndërprerjen e hetimeve ndaj tre zyrtarëve policorë të përfshirë në këto arrestime. Ky vendim e konfirmon shqetësimin tonë të shprehur në vazhdimësi se arrestimet e zyrtarëve policorë po bëhen me nguti, pa siguruar prova dhe pa i shterur të gjitha mundësitë e parapara sipas Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Policisë.

Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë, e në veçanti IPK-së që t’i ndalë të gjitha veprimet e ngutshme, spektakulare dhe të kundërligjshme.

Të ngjashme