Sindikata e Policisë në Kuvend, sërish paralajmërojnë protesta nëse s’u realizohen kërkesat

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 12:17 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sindikata Policisë së Kosovës ka paralajmëruar protesta nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, raporton Ekonomia Online.

Kërkesë e kësaj sindikatë është ndryshimi i Ligjit për pensionin e parakohshëm, pagesat e orëve shtesë, përfitimi nga pakoja e rimëkëmbjes dhe pagesat e shujtave.  Por sindikalistët thanë se dy kërkesat ë fundit janë më primarë për ta.

Kryetari i Sindikatës së Policisë Shaban Tasholli, para anëtarëve të komisionit për Çështje të Sigurisë, tha se Policia është e mbështetur për muri. Sipas tij, protestat janë të pashmangshme nëse nuk plotësohen këto kërkesa.

“Policia është e mbështetur për muri. Ne e kemi thënë disa herë se çdo kush nga ju e keni nga një polic dhe mund ta pyetni sesi janë kushtet aty dhe ata mund të ju tregojnë. Protestat do të ndodh dhe kontrolli i kësaj protestë mund të bëhet një orë dhe paramendojeni se çfarë do të ndodh në pikat kufitare, në përcjellje të presidentit, kryeministrit etj etj”.

“Mos të ndodh që si në të kaluarën që të na neglizhojnë dhe në ora 3 të natës të ndërpritet protesta. Në Qeverinë Kurti kemi arritur që t’i marrim nga 300 euro dhe e falënderojmë. Ka qenë në plan që t’i marrim edhe për shujtat por që nuk ndodhi. Për çdo do të na dalin në pension policët me nga 90 euro”, tha Tasholli.

Nënkryetarja e kësaj sindikate, Valbona Kamberi tha se që nga muaji mars, pjesëtarët e Policisë punojnë deri në 12 orë, e 60 orë në muaj.

Sipas saj, gjashtë pjesëtarë të Policisë kanë humbur jetën nga COVID-19, ndërsa 600 tjerë janë të prekur nga ky virus.

“Që nga muaji mars, policia po punon pa orar deri në 12 orë në ditë dhe që nga pandemia, policia po qëndron larg policisë. Ku është faktori politik që nuk po i dëgjon kërkesat e policisë. Policia është drejtpërdrejt e prekur nga kjo pandemi, ku janë të infektuar mbi 600 policë dhe kemi gjashtë të vdekur nga COVID-19. Për muajin gusht është përmendur se nuk ka buxhet dhe si është  e mundur që për një Qeveri që nuk ka buxhet që ti paguhen orët shtesë”, tha ajo.

Ajo foli edhe për arrestimin e një qytetari në sheshin e Prishtinës. Sipas saj, deklarata e Daut Haradinaj, i cili ka deklaruar se kjo nuk i ka hije policisë, e kanë prekur shumë. Ajo tha se qytetari ka ofenduar dhe ka tentuar ta godasë pjesëtarët e policisë.

“Me ka mbetur hatri në Daut Haradinajn kur ka thënë se policia nuk po e kryen punën e saj në rastin kur ndodhi përleshja në shesh. Rasti në fjalë ka ndodhur përshkak se zotëria disa herë ka dal pa maske dhe në momentin kur policia ia ka fërkuar mjetin e identifikimit, zotëria nuk iu është bindur urdhrit dhe ka filluar ti ofendojë pjesëtarët e policisë dhe në prezencë të familjes i ka goditur pjesëtarët e policisë”, tha ajo.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi tha se është shqetësuese për të ankesat që i shfaqën krerët e sindikatës së policisë. Ai kërkoi qe të formohet një grup punues në mënyrë që kërkesat e tyre të miratohen në Qeveri, raporton EO.

“Më ardhur në këta situatë policia e Kosovës është shumë shqetësuese. Jam shumë i shqetësuar me atë se çfarë dëgjova sot. Në çdo situatë policia ka qenë aleati kryesor i shtetit dhe iu them se jemi 100 për qind në anën tuaj. Për këtë situatë unë kërkoj që nga kjo mbledhje ta formojmë një grup punues që ta mbikëqyr situatë e krijuar në policinë e Kosovës”.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se përkundër kërkesave që po i parashtrojnë sindikalistët, duhet të kërkohet edhe më shumë profesionalizëm nga ta.

“Kërkesat e policisë duhet ta gjejnë zbatim dhe i shoh shumë më vend. Ne si anëtarë të këtij komisioni duhet gjithashtu që të kërkojmë profesionalizëm në policinë e Kosovës. Më ka rastis vet që të jem përballë policisë dhe nuk me ka pëlqyer sjellja e tyre por nuk dua që t’i fus të gjithë. Sjellja e policisë në Ferizaj dhe këtu në Prishtinë, vërtetë lë shumë për të dëshiruar në profesionalizmin e tyre”, tha Musliu.

Teksa foli për pagesat e orëve shtesë, kryetari i Sindikatës, tha se kostoja e orëve shtesë kushtojnë pesë milionë euro. E kjo shumë sipas tij, është tërhequr nga qeveria në momentin kur është bërë rishikimi i buxhetit, raporton EO.

“Pagesat e orëve shtesë kushtojnë pesë milionë dhe pikërisht pesë milionë euro na i ka marrë qeveria gjatë rishikimit të buxhetit, pa na pyt hiq. Po e them me plot bindje se qeveria asnjë cent mos të na jep dhe jemi në shërben 24 orë por ta ketë për dikë e për ne jo, kjo është e papranueshme”.

“Ka deputet ne Kuvendin e Kosovës që i thotë policit ‘a e din kush jam unë. Të zhveshi për 24 orë. Jo morë se nuk e zhvesh se nuk e ke vesh ti. Këto janë qasjet dhe problemet që po ballafaqohen policia”, tha ai, teksa nuk tregoi me emër se për cilin deputet bëhet fjalë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme