Sindikata e Punëtorëve të RTK-së paralajmëron protestë

Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së në një reagim dërguar mediave thotë se është e zhgënjyer nga anëtarët e Komisionit për Buxhet e Transfere, “pasi këta të fundi nuk morën vendim për kthimin e 2.2 milionë eurove në buxhetin e RTK-së, të cilat u morën në mënyrë arbitrare nga Ministria e Financave dhe në kundërshtim me ligjin e RTK-së”.

“Sindikata ka kontaktuar edhe me kryetarin Muja, i cili na pati thënë se do të na ftojë në dëgjim buxhetor por në gjë të tillë nuk e realizoi.

Mungesa e 2.2 milionë eurove është atak i drejtpërdrejtë në punën e RTK-së dhe ndërhyrje politike në RTK.

Të nderuara media, javën e ardhshme Sindikata do të mbajë takimin e saj për këtë çështje dhe po në ditët në vazhdim do të organizojmë protesta para Kuvendit të Kosovës dhe do të përdorim çdo mjet ligjor edhe greva   për ta mbrojtur Transmetuesin Publik.

Gjatë kësaj kohe u bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve pa dallim të na mbështesin në protesta të vazhdueshme, sepse nga ky shkurtim i buxhetit dëmtohet RTK dhe të gjitha familjet e punonjësve që pagë të vetme marrin nga RTK-ja”, thuhet në reagimin e tyre.

Të ngjashme