Sindikata për suspendimin e policit Amir Hoxha: Jemi të shqetësuar, po e monitorojmë rastin

Prishtinë | 05 Shk 2022 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Policisë së Kosovës tashmë është duke mbledhur informacione dhe fakte lidhur me suspendimin prej tri ditësh të policit Amir Hoxha, pasi ky i fundit publikisht ka ngritur zërin për mos pagesën e orëve shtesë dhe shujtave për policët, derisa në anën tjetër deputetëve të Kuvendit iu kompensohen paratë edhe për naftën e harxhuar.

Kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri ka thënë për Gazetën Express se ende nuk kanë kontaktuar me zyrtarin policor për të ditur se kush e ka suspenduar atë.

“Jemi duke i grumbulluar disa informacione të sakta. Ende nuk kemi arritur që të kontaktojmë me kolegun dhe të shohim se nga i ka ardhur suspendimi dhe jemi duke u konsultuar me Këshillin Drejtues të Sindikatës”, ka thënë Zeqiri.

Ai tha se për sindikatën është shqetësuese çdo shkelje e të drejtave të zyrtarëve policorë.

“Është shqetësuese çdo shkelje e të drejtave të zyrtarëve policor. Sindikata është e shqetësuar. Duhet që t’i grumbullojmë disa gjëra që të dimë arsyet pse ka ndodhur suspendimi. Shqetësim është, ekziston. Ne do të jemi jo vetëm në këtë rast por në të gjitha rastet ku konsiderojmë dhe konstatojmë se u është bërë e padrejtë policëve, do të jemi në monitorim të rastit”, ka thënë ai.

Në ndërkohë Inspektorati Policor i Kosovëska dal sot me një komunikatë për media e ku kanë thënë se ata nuk kanë dhënë rekomandim për suspendimin e policit Hoxha.

Në reagimin e IPK-së thuhet se ai është suspenduar nga Policia e Kosovës.

“Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës. Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj”, thuhet në njoftim.

Për suspendimin e policit Hoxha ka pasur reagime të shumta. Ndër ta ka qenë ai i kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Molliqaj ka deklaruar sot se polici nuk është robot dhe se përjashtimi i tij nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar.

“Polici nuk është robot. Përjashtimi nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar. Arkitektura e nënshtrimit është e gatshme. Shembja e saj domosdoshmëri. Por sikur në secilin profesion, njeriu nuk është i reduktueshëm në punën që bënë. Polici është edhe qytetar. Amir Hoxha u largua nga puna sepse theu rendin që ia kërkonte heshtjen dhe nënshtrimin. Me përjashtimin e tij u sulmua e drejta demokratike e fjalës dhe e drejta për punë. Por shembujve për disiplinim që po na jep pushteti duhet t’i përgjigjemi me mësime që jep organizimi sindikal”, ka shkruar ai.

Ndërsa, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, tha se tendenca për ta heshtur kritikën është cenim i demokracisë.

“Tendenca për ta heshtur kritikën, duke përdorur mekanizmat shtetërorë, përveç se është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, është cenim i madhë i demokracisë dhe krijon precedent të tmerrshëm kundër lirisë së shprehjes. Qeveria, institucionet shtetërore dhe policia duhet të përdorin të gjitha mjetet që me çdo kusht ta ruajnë këtë liri kushtetuese, e jo t’i përdorin ato si mjet për t’ia mbyllur gojën, kujtdo që e kritikon pushtetin. Në vend se kjo qeveri të kujdeset për sigurimin e kushteve të dinjitetshme për Policinë e Kosovës, ajo po kujdeset që t’i mbajë të nënshtruar nëpërmjet disiplinimit dhe kontrollit të tyre”, ka shkruar Halimi në një postim në “Facebook”.

Ndaj këtij suspendimi ka reaguar edhe zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

Haradinaj ka ftuar organet kompetente për kthim të policit Hoxha në vendin e tij të punës.

“Veprim i nxituar suspendimi i Amir Hoxhës, i cili edhe me ligj ka për detyrë hetimin e shpërdorimit të të mirave publike. Ftoj organet kompetente për rishikim të vendimit dhe rikthimin e Amirit në vendin e punës! Përkundrazi, ai duhet të njihet si Hero pasi që para pak ditësh arriti ta shpëtojë jetën e një qytetari”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq, profesori universitar, Blerim Latifi, deklaroi se kjo nuk është demokraci por pseudo-demokraci.

“Policin që e thotë një të vërtetë, e suspendojnë nga puna, ndërsa deputetin që jeton në Prishtinë dhe gënjen se udhëton nga një vend tjetër i Kosovës, sa për t’ia zhvatë shtetit paret e naftës, nuk e prekin. Kjo nuk është demokraci. Kjo është pseudo-demokraci. Sepse demokracia e vërtetë është barazi para ligjit, ndërsa demokracia e rreme një regjim ku vlen parimi i Orwell-it tek “Ferma e Kafshëve”: Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat! Kthejeni policin në punë! Sepse e vërteta na çliron, ndërsa mashtrimi veç e trashë pushtetin e batakçinjve e hajdukve”, ka shkruar Latifi në një postim në “Facebook”.

Polici Amir Hoxha dje ka publikuar një status në profilin e tij në “facebook”, ku ka reaguar për shpenzimet e deputetëve për naftë dhe për kushtet e punës së Policisë së Kosovës.

Pas kësaj, Hoxha ka njoftuar se është suspenduar për shkelje disciplinore.

Të ngjashme