S’ka veprime kundërshtuese ndaj Speciales

Prishtinë | 12 Dhj 2018 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Speciale tanimë është funksionalizuar.

Specialja ka filluar t’ua dërgojë ftesat për intervistim ish-eprorëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së.

Deri më tani pesë personave iu është dërguar ftesa ndërsa të njëjtit janë deklaruar se nuk e dinë në çfarë cilësie janë ftuar, si dëshmitarë apo të akuzuar, shkruan lajmi.net.

Vitin e kaluar kundër kësaj gjykate u organizua një peticion nga OVL-UÇK i cili nuk doli të ishte i suksesshëm.

Ish-pjesëtarë të UÇK-së ende vazhdojnë të kundërshtojnë këtë gjykatë pasi sipas tyre ajo nuk do të sjellë drejtësi. Mirëpo, deri më tani nuk është paralajmëruar ndonjë veprim kundërshtues.

Kryetari OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një prononcim për lajmi.net ka thënë se tani nuk janë duke përgatitur peticion kundër Speciales.

“Emisioni i mbrëmshëm në ‘klankosovë’ ishte i vitit të kaluar edhe pse ata nuk e bënë të ditur këtë. Nuk jemi duke e përgatitur ndonjë peticion, nuk ka asgjë”, është shprehur Gucati.

Ftesa nga Gjykata Speciale deri më tani ka marrë  Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, Sami Lushtaku, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, Nazif Mehmeti, ish-epror i Zonës Operative të Llapit, Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake  dhe Safet Syla, ish pjesëtar i UÇK-së.

Ndërsa kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj deklaroi sot se Qeveria do t’i qëndrojë afër luftëtarëve të lirisë dhe në çdo kohë do t’ju ofrojë ndihmën e nevojshme për mbrojtje juridike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme