S’ka zgjidhje për pengesat në e-Kosova, qytetarët bëjnë termine por kthehen prapa pa u vaksinuar

Prishtinë | 06 Kor 2021 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse janë bërë më shumë se tre muaj që kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër COVID-19 në Kosovë, qendrat e vaksinimit po vazhdojnë të ballafaqohen me probleme gjatë procesit të vaksinimit. Problemet po u shfaqen për shkak të pengesave në platformën online e-Kosova. Në Komunën e Gjilanit, qytetarët janë detyruar disa herë të kthehen prapa për shkak të pengesave në platformë.

Pengesat në platformën online e-Kosova, kanë bërë që shumë qytetarë të kthehen prapa nga qendra e vaksinimit në Gjilan, pa u vaksinuar kundër COVID-19, edhe pse kanë thënë se kanë pasur termine.

Me t’u rregulluar kjo faqe, ata janë kthyer përsëri për vaksinim, duke krijuar tollovi.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili ka thënë për Express se disa herë kanë pasur pengesa në platformën E-Kosova.

Ai ka thënë se për shkak të problemeve, disa qytetarë që kanë pasur termin të caktuar për të premten janë paraqitur të hënën për vaksinim.

Ndërsa, me paraqitjen e tyre në kohën kur qytetarë tjerë kanë pasur terminet për vaksinim është krijuar edhe tollovi.

“Problemi është në aplikimin online, futjen në sistem e funksionimin e platformës online. Të premten pasdite ka pas qytetarë që kanë pas terminin e caktuar janë kthyer prapa dhe të njëjtit kanë ardhur të hënën. Është krijuar një tollovi në mëngjes, por nga ora 10 gjendja ka qenë e mirë”, ka theksuar ai.

Xhemajli ka thënë se më mirë kanë funksionuar kur qytetarët janë regjistruar në Qendrat e Mjekësisë Familjare për vaksinim.

Kësisoj ai ka thënë që ata më pastaj vet i kanë plotësuar aplikacionet për ta e nuk ka pasur pengesa.

“Ata qytetarë që kanë aplikuar në Qendrat e Mjekësisë Familjare ne e kemi marrë obligim si komunë t’ia plotësojmë aplikacionin dhe të mos mbetet pa u vaksinuar asnjë sepse është numër i konsiderueshëm i qytetarëve që nuk munden të aplikojnë dhe po mundohemi që edhe ata t’i përfshijmë në vaksinim”, ka shtuar ai.

Probleme në platformë kjo komunë ka pasur edhe gjatë muajit qershor.

Për shkak të problemeve, rreth 200 qytetarë që kanë pasur termine për t’u vaksinuar janë kthyer prapa më 28 qershor.

Ndërsa, edhe shefi i qendrës së vaksinimit në Gjilan, Ismet Uruqi e ka pohuar se kohë pas kohe po u bllokohet sistemi për aplikim për vaksinim.

Ai ka thënë se brenda 1 apo 2 ore sistemi po rregullohet.

“Sistemi po bllokohet kohë pas kohe 1-2 orë, por probleme të mëdha nuk po ka. Ndoshta për këtë nganjëherë po grumbullohen qytetarët e po presin  gjysmë ore. Por terminet po vazhdojnë të bëhen në e-Kosova”, ka thënë ai.

Uruqi ka treguar se 10 mijë persona në këtë komunë janë vaksinuar kundër COVID-19.

Në lidhje me këto pengesa, nga Ministria e Shëndetësisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Ndërsa, probleme në procesin e vaksinimit kanë pasur edhe disa komuna tjera.

Qytetarë nga Komuna e Vushtrrisë kanë thënë për Express se kanë pritur më shumë se 2 orë për vaksinim, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike e problemeve në rrjet.

Mirëpo, drejtorë të Shëndetësisë në disa komuna kanë thënë se procesi po shkon në rregull dhe se nuk kanë pasur probleme as në sistem.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku ka thënë për Express se nuk kanë pasur probleme gjatë procesit të vaksinimit.

Ajo ka thënë se probleme nuk kanë pasur as në platformën E-Kosova.

“Jo nuk kemi pasur probleme. Terminet po caktohen paraprakisht dhe interesimi për t’u vaksinuar është i madh edhe me kategoritë e reja që i ka dërguar Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ajo.

Kujtojmë që interesimi i qytetarëve vazhdon të jetë i lartë për t’u vaksinuar në Kosovë.

219 mijë e 885 qytetarë janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës në Kosovë, 52 mijë e 975 prej tyre kanë arritur ta marrin dozën e dytë.

Të ngjashme