“S’kam paguar asgjë”, dëshmitari falënderon Ukë Rugovën që ia siguroi vizën italiane

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Dëshmitari Agim Xhata ka falënderuar ish-deputetin Ukë Rugova që ia siguroi vizën italiane shëngen.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në gjykimin ndaj ish-deputetit Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petanit, Qefser Baholli dhe Izet Beqirit.

Të gjithë këta po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Akuza thotë se Ukë Rugova kishte menaxhuar këtë grup kriminal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E falënderoj familjen Rugova, posaçërisht Ukën për ndihmën që ma ka ofru, edhe në Kosovë jem tu rrnu, faleminderit Ukë shumë prej zemrës”, ka thënë dëshmitari duke u drejtuar nga i akuzuari Ukë Rugova.

Dëshmitari Xhata ka rrëfyer se si kur kishte qenë në pozitë të vështirë dhe i papunë, e kishte siguruar vizën italiane nga i akuzuari Rugova.

“Unë e falënderoj familjen Rugova, janë kojshi me miqtë e mij dhe njihen me bashkëshorten time. Unë e kam pas një hall, kam qenë i papunë në atë kohë, edhe kom bisedu me miqtë me bashkëshorten për me marrë ni vizë me dalë me punu. Bashkëshortja ime ose vëllai i saj sa më kujtohet kanë bisedu me Ukën për me ma rregullu ni vizë për me mujt me dal jashtë”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, pasi bashkëshortja ose vëllai i saj ia kishin dorëzuar pasaportën e tij të akuzuarit Rugova, i njëjti pas dy javësh ia kishte kthyer pasaportën së bashku me vizë italiane në të.

“Për këtë vizë italiane shengen nuk kam paguar asgjë, bile as falënderime nuk kam mujt me i shpreh Ukës. Se di a është aty e kisha falendëru përzemërsisht, me mujt sot krejtve jau kisha bo vizat. Mua më vjen keq kjo që i ka ndodhë Ukës”, ka deklaruar dëshmitari.

Dëshmitari tha se për marrjen e kësaj vize nuk kishte paguar asgjë, përpos sigurimit shëndetësor dhe se me këtë vizë italiane tha se kishte udhëtuar për në Belgjikë.

Në këtë seancë ka dhënë dëshminë edhe dëshmitarja Afërdita Gerguri, e cila ka thënë se në vitin 2012 kishte aplikuar për vizë italiane shëngen në zyrat e Ambasadës së Italisë.

Ajo ka thënë se e ka njohur të akuzuarin Florian Petanin i cili kishte punuar në ambasadë dhe se i kishte ndihmuar, duke e informuar për procedurën e pajisjes me vizë.

Sipas saj, për pajisjen me këtë vizë kishte kryer të gjitha pagesat e nevojshme për aplikim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo tha se as të akuzuarit Petani, e as të akuzuarve të tjerë nuk u kishte dhënë asnjëherë para për t’i kryer ndonjë shërbim për tu pajisur me vizë italiane.

Në seancën e së martës është dëgjuar edhe dëshmitari Edmond Hoxha, i cili ka deklaruar se i akuzuari Astrit Haraqija e kishte pajisur me vizë italiane për t’iu ikur procedurave të gjata të terminëve.

Ai tha se me të akuzuarin Astrit Haraqija njihen që një kohë, për shkak se ky i fundit kishte qenë klient në restorantin “Ultra”, pronar i të cilit kishte qenë dëshmitari.

“Astritit ia kam dhënë pasaportën, ia kam lënë në shank të restorantit tim. Me siguri dikush nga kamerierët ia ka dhënë Astritit pasaportën, nuk më kujtohet nëse i kam lënë të holla për shpenzime procedurale për vizë pasi ka kaluar kohë e gjatë”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, pas disa muajsh e kishte marrë pasaportën bashkë me vizë italiane.

“Pas 3-4 muaj më është kthyer pasaporta me vizë italiane, në shank e kam marrë pasaportën, në restorantin tim, vizën e kam shfrytëzuar”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se për pajisjen me vizë nuk i kishte paguar askujt para.

“Astriti asnjëherë nuk më ka kërkuar para e asnjë shërbim tjetër për tu pajisur me vizën që e kam marrë. Përkundrazi ndihem i nderuar që kam pasur shoqëri me të dhe më ka mundësuar të pajisem me vizë me shpejtë”, ka thënë dëshmitari Hoxha.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 24 nëntor 2021, në ora 09:00.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Ky rast tashmë është ndarë në dy pjesë pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. Ukë Rugova, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri janë duke u gjykuar veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë.

Të ngjashme