SKANDAL: Spitali i Gjakovës refuzon ta trajtojë të moshuarën me kancer të fytyrës, ankesat e familjes i konsiderojnë shantazh

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Një paciente e moshuar, tash e disa javë, nuk po merr trajtim mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjakovës, për sëmundjen e rëndë që i është shfaqur në fytyrë, përkundër se gjendja e saj çdo ditë e më shumë është duke iu renduar dhe kanceri në lëkurë po i përhapet masovisht në fytyrë. Sipas familjarëve, mjekët e spitalit po refuzojnë ta operojnë pacienten për shkak të gjendjes së krijuar në vend pas përhapjes së Coronavirusit.

Derisa mjeku i rastit dhe drejtori i spitalit japin shpjegime të ndryshme, masat për trajtimin e pacientes dhe ankesat e familjareve të saj kanë nisur t’i trajtojnë vetëm pasi Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka nisur të merret me rastin.

L.D., një 86 vjeçare nga Gjakova, po vuan nga kanceri i lëkurës, i shfaqur në fytyrën e saj. Gjendja e saj çdo ditë është duke iu renduar, dhe fytyra i ka çelur varrë kulluese, tash e disa javë.

Kjo sipas familjarëve, si pasojë që të moshuarës mjeket në Spitalin Rajonal të Gjakovës po refuzojnë t’i japin ndihmë mjekësore.

Arsyetimi, thonë të jetë gjendja e krijuar në Kosovë pas përhapjes së pandemisë COVID-19. Kështu, pohojnë familja e pacientes, në një denoncim të rastit që e kanë bërë në Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

Djali i 86 vjeçares, L.D., (emër i njohur për redaksinë) tregon edhe me fotografi gjendjen e fytyrës së nënës së tij të sëmurë, se si i është renduar, ndërkohë që mjekët e spitalit të Gjakovës tash e disa javë refuzojnë ta trajtojnë dhe as nuk pranojnë që ta kontrollojnë, përkundër se disa herë e ka dërguar në spital.

(Fotografitë, Reporteri.net janë edituar, për shkak se është vlerësuar se janë pamje tejet të rënda për t’u paraqitur siç janë – Fotografia e parë shfaqë gjendjen e renduar në fytyrën e të moshuarës, ndërsa fotografia e dytë, e shkrepur para disa javësh, tregon se si ishte gjendja e fytyrës së saj në ditët e para pasi mjeket kanë refuzuar ta trajtojnë atë.).

Pamje e shkrepur sot (e hëne, 04.05.2020)

Pamje e shkrepur para disa jave
Kirurgu rekonstruktiv dhe estetik i Spitalit të Gjakovës, Shpëtim Dylazeka, i cili sipas familjes së të moshuarës është mjeku që e ka trajtuar atë nga fillimi, në një bisedë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, pranon se është në dijeni për rastin, por përgjegjësinë e hedhë tek Drejtoria e Spitalit Rajonal të Gjakoves, që sipas tij nuk i ka dhënë leje ta kryej intervenimin e nevojshëm në fytyrën e pacientes L.D..

Ai mundohet ta theksojë se fjala është për një paciente të moshuar, duke e rritur dukshëm edhe numrin e moshës së saj.

“Është një e moshuar 90 vjeçare, ju kam kallxuar që ka kancer, ja ka përfshi pjesën e syrit. Unë i kam treguar djalit të saj sa nuk kam autorizim të përfundoj rastet e ftohta, veç nëse e lejon drejtoria unë e kry”, tha Dylazeka për Reporteri.net.

“I kam thënë djalit të saj që nëse e merr vendimin në Drejtori, unë brenda natës e kry, s’është problem. Nëse drejtoria pranon me bo kompromis, nëse pranohet anestezioni te pacientja pasi është mosha problem, unë teknikisht e kry pa problem”, përsërit ai.

Shkon deri aty sa thotë se familja që po kërkon ndihmë mjekësore për nenën e tyre në gjendje të renduar po e shantazhin mjekun për punën që duhet të kryej, duke e denoncuar rastin në media.

Tutje Dr. Shpëtim Dylazeka insiston se problemi që pacientja gjakovare nuk po trajtohet nuk qëndron tek ai, por tek drejtoria e Spitalit Rajonal të Gjakovës.

E nga ana tjetër, drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala, i kontaktuar të hënën nga Reporteri.net, përmes telefonit, fillimisht pohon se nuk është në dijeni për rastin, dhe kërkon t’i jepet kohë që të marrë informacione.

Më pas, në komunikimin e dytë përmes telefonit, sikurse edhe mjeku Dylazeka, duke e theksuar se pacientja është e moshuar, ai thotë se ajo fillimisht duhet të hospitalizohet, e pastaj të jepen vlerësime nëse është urgjente për operim. Përkundër, se sipas djalit të të moshuarës, ai disa herë, në javët e fundit, e ka dërguar nënën e tij në spital, por nuk e kanë pranuar e as vizituar nga mjekët.

“Operacionet e ftohta janë të pezulluara deri në një vendim tjetër të Ministrisë së Shëndetësisë. Bëhet fjalë për një paciente të moshuar, së pari duhet të kontestohet gjendja e saj shëndetësore, fillimisht duhet të hospitalizohet dhe mjeku përkatës jep vlerësimin nëse është urgjente për operim”, thotë drejtori Shala për Reporteri.net.

Tutje, ai tregon se mjeku i rastit ka caktuar termin për operimin e pacientes, për këtë të mërkurë. E djali i pacientes, pohon se e gjitha ndodhi tek pasi Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka kontaktuar në lidhje me rastin, me mjekun në fjalë dhe drejtorinë e spitalit të Gjakovës.

“Sipas konfirmimit të mjekut, pacientja në fjalë e ka të caktuar operimin për ditën e mërkurë, pas analizave që do t’i bëhen”, tregon drejtori i spitalit.

Të ngjashme