Skënderbeu cilësohet “ambasador i paqes” dhe figurë e pakonkurrueshme

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 15:36 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Heroi kombëtar shqiptar, Skënderbeu, është cilësuar “ambasador i paqes” dhe figurë e pakonkurrueshme nga folës në konferencën me temën “Skënderbeu, liria dhe paqja”, organizuar sot në Prishtinë, nga Federata Universale e Paqes (FPU).

Në konferencën që mbahet në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, merrnin pjesë ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi; Jack Corley, kryetar i FPU për Evropën Lindore; Qemajl Minxhozi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë; si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës, nga shoqëria civile, kultura etj.

Në fjalën e tij, historiani Jakup Krasniqi tha se nuk ka asnjë dyshim që shekulli i 20-të është shekulli i Skënderbeut, për shkak se përmes tij historia e popullit shqiptar është bërë e njohur gjithandej në botë.

“Tani më nuk ka dyshim nga askush se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është njëra nga figurat më të lavdishme të historisë sonë”, theksoi Krasniqi, raporton Ekonomia Online.

“Për mua janë dy epoka të Skënderbeut: është vetë epoka e tij 25-vjeçare në shërbim të vendit të vet dhe në shërbim të kulturës evropiane të asaj kohe. Shekulli 20 është shekulli i Skënderbeut. Vetëm në këtë periudhë, populli shqiptar është përhapur si komb, edhe me arsim e dije”.

“Vetëm në këtë kohë, Skënderbeu ka hyrë si kujtesë në çdo familje shqiptare”, u shpreh ai.

Krasniqi tha se Skënderbeu, megjithëse, luftoi për 25 vjet mund të cilësohet ambasador i paqes.

“Të kërkosh luftë është çmenduri, por t’i përgjigjesh asaj kur ta tjerët ta imponojnë është urti”, ka cituar Krasniqi thënien e Skënderbeut.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se figura e Skënderbeut nuk është e rëndësishme vetëm për shqiptarët, por edhe më gjerë.

“Ne jemi shumë krenarë që sivjet si Shqipëria dhe Kosova kanë shpallur vitin e Skënderbeut. Secili mund të krenohet me figurat e tij kombëtare, por mendoj se në rajonin e Ballkanit Skënderbeu ka qenë i pakonkurrueshëm”.

“Skënderbeu ka lënë një histori e cila është studiuar jo vetëm nga kombi ynë, por nga shumë të tjerë”, u shpreh Minxhozi.

Kryetari i Federatës së Paqes për Evropën Lindore, Jack Corley, tregoi përvojën e tij personale kur për herë të parë ishte “njohur” me heroin e madh të shqiptarëve. “Nuk është një gjë e madhe të duash mikun. Gjë e madhe është të duash armikun tënd dhe kjo është ajo çfarë po mundohemi të bëjmë”, u shpreh ai.

Në fund të konferencës janë emëruar si Ambasadorë për Paqe, figura të shquara, si Skënder Reçica (ministër akutal i Punës djhe Mirëqenies Sociale), ambasadori Qemal Minxhozi, Avni Nuha e Sabit Syla.

Në fjalën e tij falënderuese, ministri Reçica i përgëzoi organizatorët për mbajtjen e kësaj konference.

“Mësimi i historisë, i quajtur Skënderbe, na mëson se Liria dhe Paqja janë kuptimi real i jetës, ashtu sikur u bënë sinonimi i viteve të qëndresës në luftërat e pareshtura të tij e popullit tonë ndaj të keqes”, tha ai.

“Për dy dekada e gjysmë, Liria e popullit tonë dhe paqja perëndimore pati një emër të përveçëm, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai duke luftuar e drejtuar popullin tonë për liri, fitoi dhe paqen perëndimore, ndaj edhe sot, kudo shesheve qendrore të Evropës po ngriten shtatore e portrete të heroit, në respekt të atyre armëve plot lavdi. Dua të ju përgëzoj për titullin që i keni dhënë konferencës suaj, sepse Skënderbeu vërtet na vjen ashtu nëpër histori – me liri dhe paqe”.

“Ky në vetvete edhe është shpirti i shqiptarit, i cili asnjëherë nuk ka reshtur së luftuari për këto dy vlera, për Lirinë dhe për Paqen. Përgëzime për Konferencën, konsideratë për Temën e saj dhe nderim që me punë të vyer po jepni kontributin tuaj në risjelljen e heroit mes nesh”.

Image may contain: 3 people, suit

Të ngjashme