Skenderi: Gjendja e komuniteteve të përmirësohet sa më shpejtë

Prishtinë | 14 Kor 2021 | 21:38 | Nga Ekonomia Online

“Komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përballet me probleme të natyrave të ndryshme, të cilat në bazë e kanë diskriminimin dhe stigmatizimin” – kështu tha për emisionin Rubikon, Isak Skenderi, drejtor i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.

“Gjendja e komuniteteve në Kosovë duhet të përmirësohet sa më shpejtë, sepse kjo ndikon jo vetëm në mirëqenien e njerëzve por edhe në jetëgjatësinë e tyre. Kushtet e vështira socio-ekonomike me të cilat komunitetet ballafaqohen jo vetëm në Evropë por edhe në Kosovë, hulumtimet e shumta tregojnë që jetëgjatësia e komuniteteve është shumëfish më e vogël se jetëgjatësia e të tjerëve dhe kjo është si rezultat i kushteve në të cilët ata jetojnë”.

Skenderi shtoi se organizata të cilën ai drejton, në bashkëpunim me disa organizata të tjera, i kanë dërguar një dokument kryeministrit të vendit-Albin Kurti, presidentes-Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit-Glauk Konjufca, në të cilin kërkohet përmirësimi i gjendjes së komunitetit RAE në Kosovë.

“E para çka ne po kërkojmë është që antigjipizmi si fenomen, që ndikon në jetën e njerëzve, të njihet dhe të pranohet”.

“Për ta luftuar problemin ne duhet ta njohim dhe ta kuptojmë si po ndikon ai problem në jetën e njerëzve, nuk mund ta rregullojmë situatën e komuniteteve duke punuar vetëm me komunitetet, kjo është shumë e rëndësishme”.

“Duhet të punojmë me shoqërinë, me institucionet, me zyrtarë të të gjitha niveleve. Antigjipizmi është aq i thellë dhe manifestohet në mënyra të ndryshme” deklaroi Skenderi.

Tutje ai u shpreh se ligjet në vend duhet të ndryshohen me qëllim të adresimit të këtyre problematikave.

“Ligji do duhej të krijojë mundësi për të ndërhyrë në ndërtimin e politikave tjera, në ndryshimin e ligjeve tjera të cilat e adresojnë këtë problematikë, por gjithsesi duhet të krijojë bazë për edukim më të mirë të komunitetit në përgjithësi, të shoqërisë në përgjithësi lidhur me atë se kush janë romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, për çfarë arsye gjendja e tyre është kjo që është dhe si mund të ndryshohet nëse secili nga ne e bëjmë një hap ose një ndryshim” deklaroi udhëheqësi i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.

Të ngjashme