Smith shfrytëzon deklaratën e Klinakut si një prej argumenteve pse Veselit duhet t’i vazhdohet paraburgimi

Prishtinë | 19 Qer 2021 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Dhomave të Specializuara, Jack Smith, në një dokument të dërguar në adresë të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Hagës, ka listuar argumentet e tija, se pse Kadri Veseli duhet të mbetet ende në paraburgim dhe pse duhet refuzuar kërkesa e mbrojtjes për mborjtje në liri.

Smith në argumentimet e tij ka përmendur edhe deklaratën e ushtruesit të detyrës së kreut të Veteranëve të UÇK’së, Faton Klinaku, se do të publikojë përsëri dokumente të Gjykatës Speciale në rast se i bien në dorë.

Kjo deklaratë e Klinakut të Veteranëve bashkë me fushatën “Liria ka emër, UÇK” janë dy prej argumenteve të shumta që Smith ka listuar e që sipas tij rrisin rrezikun, në rast të lirimit të Kadri Veselit nga paraburgimi.

“Më 4 qershor të vitit 2021, Faton Klinaku, kryetari në detyrë i Veteranëve, një organizatë e përbërë nga ish-vartës të të akuzuarve me një anëtarësi solide prej mbi 40 mijë ka dhënë një intervistë në të cilën premtoi se do të publikojë dokumente konfidenciale të Dhomave të Specializuara nëse i bien në dorë. Kjo është e jashtëzakonshme, duke vënë në spikamë se z. Klinaku është kryetar i përkohshme, sepse kryetari i mëparshëm dhe nënkryetari i Veteranëve të UÇK’së po ndiqen penalisht në Dhomat e Specializuara për sjellje identike”, shkruhet në dokument, raporton Express.

Pjesë nga Dokumetni i Prokurorisë Speciale

Smith këtë e sheh si gatishmëri të “përkrahësve të akuzuarit (Kadri Veseli) që të pengojnë procesin”.

Kryeprokurori Smith ka përmendur edhe fushatën “Liria ka emër, UÇK”, që sipas tij ka bërë jehonë kohëve të fundit, teksa thotë se është e provuar që Kadri Veseli ka ndikim tek ish-vartësit dhe përkrahësit.

“Fushata ka qenë shumë e zëshme në muajt e fundit, duke demonstruar një rrjet konkret dhe aktiv mbështetës për të akuzuarin”, thuhet në dokumentin e Prokurorit Smith.

Smith ka listuar edhe një varg argumentesh të tjera, se pse Kadri Veselit duhet t’i vazhdohet paraburgimi.

Ndërkohë ka përmendur edhe vizitën në Kosovë me rastin e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të babait të Kadri Veselit. Smith ka potencuar se duhet të theksohet sjellja e shembullore e Kadri Veselit, megjithatë thotë se ky detaj nuk ndryshon nivelin e rrezikut.

Të ngjashme