“Soliterat” e Prishtinës të zhveshur e për marre

Prishtinë | 13 Gus 2018 | 12:09 | Nga

Që nga viti 1963, kur u ndërtuan, për dekada me radhë ishin më “kryelartat” dhe qiellgërvishëset në qytetin që kishte shpresë për planifikim urban. Përveç të larta, “soliterat” në lagjen Ulpiana të Prishtinës ishin objektet me pamjen më të veçantë që ua jepte llamarina e përdorur në fasadën e jashtme. Por, tash e disa vjet ata janë dëmtuar, e askush nuk po investon në solitera.

Edhe pse dikur i jepnin jetë Prishtinës me fontanën në mes dhe vet soliterat si gardianë rreth e rrotull, si pjesë të lagjes Ulpiana, ata sot janë pa shpresë. Të zhveshur, cfilitur, venitur dhe për marre rrijnë duke parë kah ndërtesat e reja që duken sikur botë tjetër.

Fasada e jashtme prej llamarine është dëmtuar e ka filluar të bie nga katet e larta, duke rrezikuar kalimtarët e rastit. Të tri objektet kanë filluar të zhvishen nga fasada, duke shfaqur materialin izolues të objekteve.

Banorët veç e veç kursehen të flasin publikisht. Muhabetçe tregojnë se vërehet brenda banesave dallimi që nga rënia e llamarinave, pasi ato sado-kudo kanë përbërë një shtresë izolimi. E pronarët e dyqaneve pohojnë pa u menduar dy herë se janë rrezikuar nga rënia e llamarinave nga lartësitë e mëdha. Disa herë ka ndërhyrë edhe ekipi i zjarrfikësve që të evitojnë rreziqe.

Mirëpo, dëmtimi nuk filloni tash dhe nuk është “taze”. Ai po vazhdon e po plaket tash e disa vjet. E, përpjekjet për të bërë diçka për renovimin e tyre kishin filluar që nga viti 2013. Premtimet se do të investohet nuk kishin munguar. Por, tani institucionet gjithçka po ua lënë në dorë banorëve të këtyre ndërtesave, e këta të fundit nuk po kanë mundësi të bëjnë diçka për këtë objektet që i kanë në bashkëpronësi.

Banorët e  këtyre objekteve, përmes përfaqësuesve të tyre kanë kërkuar ndihmë nga Komuna e Prishtinës, por që nuk po gjejnë bashkëpunim.

Njëri nga këta përfaqësues, Sejdi Berisha ka treguar për Ndërtimi.info për përpjekjet e tyre. Sipas tij vështirësi po kanë të arrijnë bashkëpunim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Në kohën e fushatës secili ka bërë premtime. Shepnd Ahmeti ka thënë se nuk është puna jonë. Kjo punë është kaherë. Komuna duhet të ketë një interesim më ta madh për këto ndërtesa. Ne do të kërkojmë një takim me kryetarin Shpend Ahmeti, por ai me të vërtetë është i zorshëm për bashkëpunim. Herën e parë kur ka kandidu për kryetar të Prishtinës ka premtuar se do të merret më këtë çështje, por ai shumë ka premtu e s’ka bë asgjë. Takimin e fundit e kemi pas para një viti”, tregoi ai.

Në anën tjetër, komuna e Prishtinës është thirrur në Ligjin për ndërtesat në bashkëpronësi, në bazë të së cilit edhe banorët duhet të përfshihen në investime.

“Ndërtesat e banimit kolektiv ne Ulpiane trajtohen me ligjin nr 04/L-134 për ndërtesat e banimit ne bashkëpronësi. Me këtë ligj rregullohen të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e pronarëve të njësive të ndërtesës në lidhje me shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e pjesëve, hapësirave dhe pajisjeve të përbashkëta të ndërtesës – bashkëpronësinë në ndërtesë”, është përgjigjur Komuna e Prishtinës për Ndërtimi.info.

Ndërsa, ky ligj, në nenin 5 të tij,  specifikon elementet e bashkëpronësisë. Sipas këtij ligji duhet të “Elementet e bashkëpronësisë të ndërtesës në bashkëpronësi janë të gjitha elementet përveç njësive individuale dhe përfshijnë :

2.1. konstruksionin mbajtës të ndërtesës (themelet, muret masive, shtyllat, konstruksionin

mes katesh, të kulmit kulmet e pjerrëta dhe të rrafshëta);

2.2. mbulesën e kulmit (izolimin, tjegullat, dhe të ngjashme);

2.3. kulmet e rrafshëta, të shfrytëzueshme dhe të pashfrytëzueshme;

2.4. fasadat e ndërtesës, dera hyrëse dhe dritaret e hapësirave të përbashkëta;

2.5. punimet e llamarinës së kulmit dhe punimet tjera”, thuhet në këtë nen.

Sa i përket administratimit të objektit dhe investimeve, ligji parasheh që të themelohet Shoqata e Pronarëve dhe përmes saj të rregullohen çështjet.

“Ashtu siç është përcaktuar me marrëveshje : 3.1. çdo shpenzim i përbashkët lidhur me mirëmbajtjen, riparimin, ose zëvendësimin e një elementi të bashkëpronësisë për përdorim të veçantë do të taksohet ndaj njësive të cilave ai element i përbashkët i shërben, në mënyrë të barabartë, ose në çfarëdo proporcioni tjetër të cilin e parasheh marrëveshja”, thekson neni 37 i këtij ligji.

Duke u thirrur në këtë ligj, sipas përfaqësuesit të banorëve Sejdi Berishës. Komuna e Prishtinës ka kërkuar që investimi të bëhet nga 50 për qind nga të dyja palët. Por që të arrihet kjo, ai po sheh vështirësi.

“Shpendi është lidh se është ligji dhe duhet të investohet bashkë. Por, si ashtu kur nuk është e mundur me mbledh pare prej banorëve. Por, është mundësia që 50% të mjete të gjenden me donatorë. Komuna duhet ta bëjë elaboratin me ekspertë të vetë, pastaj të bëhet llogaria”, shtoi Berisha.

Ndihmë nga Komuna ka kërkuara edhe Bashkësia Komunale në Ulpianë. E, as nga këta që nga viti 2013 nuk arritën sukses.

Kryteari i kësaj bashkësie, Muhamet Nuraj ka akuzuar të parin e Prishtinës për se po gënjejnë.

“E kemi ngrit si çështje disa herë. Ka ardhë edhe Shpendi tri-katër herë.  Gjithmonë vetëm kanë premtuar. Nuk mund ta shoh shpendi duke rrejt, shumë është i papërgjegjshëm, nuk e mban fjalën. Ai thotë nesër filloj, nesër filloj. Mendon se kryetarët e bashkësive lokale ia kryejnë punët. Ka qenë në vitin 2013, 2015 edhe një herë ka qenë një përfaqësues i tyre”, u shpreh ai.

Nurja, i cili për dy mandate ishte asamblist në Prishtinë, theksoi se kishin hartuar një projekt për renovim të “soliterave” por që ai ka mbetur në Zyrën e Prokurimit të Komunës, pasi ende ka mbetur në fazën e vlerësimit.

Projekti, i cili ishte bërë në fund të mandatit të Isa Mustafës, ishte paraparë të kushtonte 50 mijë euro.

Edhe pse fasadimi i jashtëm i objekteve në bashkëpronësi nuk është në kompetencë të Ndërmarrjes Publike Banesore, ky institucion po shpreh interesim që në të ardhmen të investojë në ”solitera”.

“Në këtë faze NPB nuk e ofron shërbimin e  fasadimit të jashtëm të ndërtesave ne bashkëpronësi, mirëpo planifikojmë që gjate gjysmës së dytë te vitit të ardhshëm të fillojmë projektin për ruajtjen e energjisë me ç’rast përfshinë edhe izolimin dhe fasadimin e ndërtesave në bashkëpronësi dhe si rrjedhojë e kësaj shpresojmë se do të gjejmë bashkëpunim me bashkëpronarët e ndërtesave te quajtura “ soliterat” ne lagjen Ulpiana”, kanë thënë nga NPB-ja për Ndërtimi.info.

Edhe nga Zyra për Informimi e kësaj ndërmarrje thonë se janë realizuar disa takime me përfaqësues të Komunës për këtë çështje, por që nuk është gjetur mundësia për financim të intervenimeve në këto objekte. (Kushtrim Hajzeri/Ndërtimi.info)

  

Të ngjashme