Sot nis “Java Evropiane e Mobilitetit”

Prishtinë | 16 Sht 2019 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyren e Bashkimint Evropian në Kosovë organizon “Javën Europiane të Mobilitetit”.

Ky aktivitet zhvillohet nga sot deri më 22 shtator.

Komuna e Prishtinës njofton se kjo iniciativë europiane inkurajon qytetet që të prezantojnë dhe të promovojnë masa të qëndrueshme të transportit dhe t’i ftojnë njerëzit të provojnë alternativa tjera të lëvizjes kundrejt përdorimit të automjeteve.

Komisioni Europian ka vendosur dy synime ambicioze për lëvizshmërinë urbane:

  • largimi i automjeteve me karburant konvencional në qytete deri në vitin 2050
  • lëvizja drejt emitimit zero nga automjetet e motorizuara që kryejnë transportin e mallrave dhe shërbimeve në qendrat kryesore urbane deri në vitin 2030.

Java kulmon me Ditën pa Automjete, ku qytetet pjesëmarrëse krijojnë një ose disa zona vetëm për këmbësorë, çiklistë dhe transport publik, për një ditë të tërë.

Tema për këtë vit është “Ec me ne!”.

Sipas komunës së Prishtinës kjo sjell në fokus temën e këtij viti të ‘Ecjes dhe çiklizmit të sigurt’ dhe shumë qartë thekson një mënyrë transporti që është shumë shpesh e nënvlerësuar: ecjen.

Fushata inkurajon njerëzit të zgjedhin mënyra aktive të lëvizjes ose të kombinojnë ecjen dhe çiklizmin me transportin publik.

Të ngjashme