Specialja jep detajet e fundit për nisjen e gjykimit ndaj Salih Mustafës

Prishtinë | 12 Maj 2021 | 19:51 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Speciale, ka treguar se tashmë mbrojtja e të akuzuarit Salih Mustafa-Calit, vec e ka dorëzuar dosjen paraprake, listën e dëshmitarëve dhe listën e provave para gjykatësit të procedurër paraprake.

Specialja, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, ka thënë se data për gjykim ndaj Mustafës do të bëhet sa më shpejtë që është e mundur.

Në këtë përgjigje bëhet e ditur se më 7 maj 2021, gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues I, në pajtim me rregullën 98, dhe më 11 maj trupi gjykues emëroi gjykatësin kryesues në pajtim me rregullën 15 (2).

“Sa më shpejt që të jetë e mundur, në pajtim me rregullat 116 dhe 117, trupi gjykues do të caktojë datën (at) për një ose më shumë konferenca përgatitore për gjykimin, në prani të ZPS-së, Mbrojtjes dhe Mbrojtjes së Viktimave, në mënyrë që të diskutojë çështjet praktike në lidhje me përgatitjen e shpejtë të gjykimit, të tilla si një datë paraprake për fillimin e gjykimit, organizimin e paraqitjes së provave dhe masat mbrojtëse”, i ka thënë Insajderit zëdhënësi për media i Speciales, Michael Doly.

“Trupi gjykues pastaj do të nxjerrë një numër vendimesh procedurale për të përshpejtuar përgatitjet për fillimin e gjykimit”, ka përfunduar ai.

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 12 qershor 2020, Salih Mustafa- komandant Cali po akuzohet si epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Me aktakuzë Mustafa ngarkohet se mes 1 dhe 19 prillit 1999 së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas aktakuzës, personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Të ngjashme