Spitali i Pejës konfirmon arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë

Prishtinë | 13 Gus 2020 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Spitali i Pejës konfirmon arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë me dyshimin për sulm seksual

Kirurgu në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Numan Baliq është arrestuar të mërkurën rreth orës 23.00 me dyshimet se ka ngacmuar seksualisht një paciente në repartin ortopedik.

Arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Baliqit e ka konfirmuar për KOHËN, zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti.

“Po, e konfirmoj se është arrestuar mjeku Numan Baliq. Ende nuk jemi të njoftuar zyrtarisht nga Policia, por ne si spital si të njoftohemi zyrtarisht nga Policia, do të ndërmarrim gjithat që parasheh rregullorja, përfshirë edhe suspendimin e mjekut deri në një vendim të gjykatës”, tha Sahiti.

Për arrestimin e tij, por pa dhënë informacione konkrete për identitetin e personit, ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin e saj 24 orësh.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull nën dyshimin se i njëjti e ka sulmuar seksualisht viktimën femër. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në Prokurorinë Themelore të Pejës kanë konfirmuar për KOHËN arrestimin e një personi me dyshimin për sulm seksual në Spitalin e Pejës.

“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48-orësh, gjithashtu prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, tha zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

Kjo nuk është hera e parë që ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, përballet me dyshime për ngacmim seksual. Edhe në shtator të vitit 2018 ai ishte arrestuar e pastaj edhe suspenduar me dyshimet se kishte ngacmuar seksualisht një praktikante në spital. Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për atë rast, por Gjykata Themelore e Pejës vitin e kaluar e kishte liruar nga akuza me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ka kryer vepër penale.

Pas kësaj, Baliq është kthyer serish në punë në spital, por lënda për rastin e parë ende nuk ka përfunduar, pasi ajo gjendet në Gjykatën e Apelit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme