“S’po shkohet n’shkollë”, nxënësit protestojnë për mungesën e cilësisë në arsim dhe sjelljet e profesorëve

Prishtinë | 19 Pri 2022 | 13:42 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me thirrjet për cilësi në arsim është mbajtur marshi i organizuar nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) me moton “S’po shkohet n’shkollë”. Krahas kërkesës për cilësi në arsim, ata po ankohen edhe sjelljet e profesorëve, raporton Ekonomia Online.

Nxënësit që marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë deri te Teatri Kombëtar mbanin dhe pankarta me ankesa për mungesë të mirëqenies nëpër shkolla, për librat e vjetruar dhe për mosbarazinë.

“Nuk kemi dritë, ajër të mjaftueshëm’, s’kemi siguri në klasë, oborr dhe rrugë. Në shkollë s’kemi as psikologë, as shkollë emergjente, as kuti të emergjencës, s’kemi kabinete për praktikë, as salla të edukatës fizike. Në vend të krejt këtyre kemi substanca narkotike dhe duhan. S’po shkohet në shkollë…”, tha Denis Krasniqi, përfaqësues i KNK-së, në një fjalim para nxënësve të mbledhur para Teatrit Kombëtar.

“Në shkollë s’kemi as libra, hala mësojmë përmes diktimit edhe skriptës, s’po shkohet në shkollë se ato libra që janë kanë gabime dhe janë të vjetra. Librat diskriminojnë gratë dhe kategori të tjera të margjinalizuara. S’po shkohet në shkollë, se shkolla është e mërzitshme”.

Nxënësit kërkuan zbatim të ligjeve, siguri në arsim, mbrojtje, mirëqenie dhe barazi, derisa thanë se shkolla po iu ngjan me sistem diktature.

Krasniqi theksoi se marshi i sotëm është si rezultat i pakënaqësisë së tyre shumëvjeçare.

Ai tha se ankesa ka pasur gjithmonë por që sipas tij ato kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Marshi i sotëm është rezultat i pakënaqësisë sonë shumëvjeçare që e kemi si nxënës. Rezultati i krejt cilësisë në arsim dhe infrastrukturës së objekteve shkollore tona është shfaq prej hulumtimit që e kemi bërë me Këshillin Rinor Kosovar. Kanë dalë statistika të tmerrshme sa i përket mësimdhënëseve, nxënësve dhe infrastrukturës, dhe krejt institucioneve përgjegjëse”, tha ai.

“Ne pas marshit do të shkojmë me kërkesa e ankesa. Ne gjithmonë kemi pasur kërkesa e ankesa, por shumicën e rasteve kanë hasur në vesh të shurdhër”, tha Denis Krasniqi, një nga organizatorët e protestës.

Të ngjashme