Sputnik: Kosova e ka vetëm edhe një kërkesë nga Serbia

Prishtinë | 06 Kor 2017 | 08:17 | Nga

Deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pritet të përfundojë me një marrëveshje historike, mund të jetë e vërtetë nëse Serbia e lejon këtë, pasi absolutisht çdo gjë për pavarësinë e Kosovës varet nga Beogradi.
Kështu ka thënë për Sputnik, politikani Stevan Filipoviq. Ai ka theksuar se Kosova pa Serbinë nuk mund të merr as kod telefonik.

“Unë nuk e di se sa e kuptojnë ekspertët por për të gjitha ndryshimet në Kosovë bëhen me dëshirën e Serbisë dhe mendoj se për të gjithë kjo është e qartë”.

Sa i përket deklaratës së Thaçit, Filipoviq ka thënë se që nga viti 2013 kur kanë filluar bisedimet në Bruksel, Kosova ka vetëm një interes të qartë – të njihet nga Beogradi si shtet i pavarur dhe sovran, transmeton lajmi.net.

“Çdo gjë që e dëgjojmë nga bisedimet është vetëm një mashtrim i madh, vetëm njohja e shtetësisë është e rëndësishme dhe ata janë duke u përpjekur ta arrijnë”, ka thënë ai.

Pavarësisht faktit që në takimin mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiq është thënë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të jetë i gjatë, Thaçi ka ftuar të gjitha subjektet politike në Kosovë për t’iu bashkuar procesit duke thënë se është koha për të filluar një dialog të fuqishëm dhe të rëndësishëm i cili do të çojë në përfundimin dhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Të ngjashme