Stuhitë e fuqishme shkaktuan dëme edhe në komunën e Gjilanit, Haziri kërkon ndihmë nga Qeveria

Prishtinë | 19 Gus 2020 | 11:30 | Nga Ekonomia Online

Stuhitë dhe erërat e fuqishme mbrëmjen e kaluar kanë prekur disa komuna të Kosovës, ndër to edhe Gjilanin, ku vlera e dëmeve kap shifrën prej 120 mijë eurove.

Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri në një prononcim për Telegrafin ka treguar se nga stuhitë e fuqishme mbrëmjen e së martës janë shkaktuar dëme të mëdha si në kulmet e institucioneve arsimore, po ashtu edhe të banesave publike.

Haziri theksoi se stuhitë e fuqishme po ashtu kanë shkaktuar dëme edhe në bujqësi dhe në rrugët publike të kësaj komune.

Vlera totale e dëmeve të shkaktuara sipas kryetarit Haziri, kap shifrën e 120 mijë eurove.

“120 mijë euro kemi dëme të shkaktuar nga stuhitë e mbrëmshme. Kemi të dëmtuara kulmet e shkollave, të banesave publike si dhe të rrugëve. Po ashtu edhe bujqësia është dëmtuar shumë në këtë komunë”, ka thënë Haziri.

I pari i komunës së Gjilanit i bëri thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës, që ta ndihmoj këtë komunë në rikuperimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhitë.

“Qeveria anjëherë nuk ka ndihmuar kur kemi pas dëme nga stuhitë e tilla dhe tani ka ardhur koha që të na ndihmojnë”, ka thënë ndër të tjera kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme