Suhareka e Malisheva mobilizohen kundër përmbytjeve eventuale

Prishtinë | 14 Maj 2019 | 09:29 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Suharekës dhe ajo e Malishevës, të hënën, kanë pohuar se organet përkatëse janë mobilizuar për t’u përballur me situatën dhe përmbytjet eventuale, që janë paralajmëruar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Megjithëkëtë, është drejtuar thirrja që edhe qytetarët të marrin masa me kohë dhe të jenë të gatshëm për çfarëdo përballjeje me vërshimet e mundshme, shkruan sot “Koha Ditore”.

Komuna e Suharekës përmes një njoftimi ka pohuar se nga dita e martë janë paralajmëruar vërshime në këtë Komunë.

“Sipas paralajmërimeve që ka bërë Sektori i Hidrologjisë i Institutit Hidrometeorologjik, nga nesër (e martë) do të ndodhin vërshime në Kosovë për shkak të reshjeve të mëdha që do përfshijnë vendin në ditët në vijim. Parashikohet që reshjet të jenë të pandërprera për 72 orë me një sasi prej >30 – 50 mm, dhe me probabilitet të lartë të reshjeve ekstreme, përmbytjeve dhe rrëshqitje të dheut në zonat e ndjeshme. Zonat më të goditura do të jenë pjesa perëndimore dhe ajo jugore e vendit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Suharekës. Aty thuhet se ky paralajmërim i Institutit Hidrometeorologjik është diskutuar të hënën në takimin e rregullt të Këshillit të drejtorëve.

Të ngjashme