Sulmi i gazetarëve në veri, Maxhuni: Kur u sulmuam nuk reagoi patrulla e policisë që ishte në afërsi

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 18:09 | Nga Ekonomia Online

Tre gazetare të “Gazeta Blic” përderisa ishin duke realizuar një storie lidhur me pandeminë Covid-19 në Mitrovicën Veriore, u sulmuan nga dy persona të nacionalitetit serb.

Nebih Maxhuni në një interviste të Klan Kosovës ka treguar detajet lidhur me këtë rast.

“Ajo çfarë ka ndodhur sot është se rreth orës 13:30 unë bashkë me koleget, gazetarin Diamant Bajra dhe kameramani Arsim Rexhepi, ishim në veri të Kosovës për të realizuar një storie që lidhet me Covid-19. Fillimisht ishim në Lagjen e Boshnjakeve pastaj jemi ngjitur lart deri tek shkolla teknike ku na janë afruar dy djem të moshës 25-27 vjeç, njëri zeshkan dhe tjetri biond, të nacionalistit serb dhe kanë filluar të na shajnë e të na ofendojnë”.

“Jam munduar t’ju shpjegoj se nuk kemi dalë aty për ta, por për të realizuar një storie për Covid-19. Në ato momente njëri nga ta më ka hequr maskën dhe më ka goditur. Gjithashtu janë sulmuar edhe kolegët Diamant Bajra dhe Arsim Rexhepi”.

Maxhuni ka theksuar se në këtë situatë në afërsi ishte një patrullë policore.

“Në momentin kur u sulmuan ka qëlluar në afërsi një patrullë e Policisë se Kosovës, nga të cilët kemi kërkuar ndihmë por nuk janë ndalur”.

Gazetari ka njoftuar se lidhur me këtë ai dhe kolegët kanë dhënë deklaratë në polici si dhe kanë informuar Inspektoratin Policor.

Lidhur me sulmin vetë Maxhuni ka shprehur habinë, mirëpo sipas tij edhe me i çuditshëm ishte mosreagimi i Policisë së Kosovës.

Ai gjithashtu u shpreh u bindur se sulmuesit do të përfundojnë në pranga.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme