Surroi: Kosova është shtet i kapur, pushtetarët janë të sigurt se nuk do të dënohen

Prishtinë | 24 Sht 2018 | 16:15 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është mbajtur diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat digjen, (por) idetë jo”. Surroi është autor i librit “Këmbët e gjarprit”, libër ky ndaj të cilit, në vitin 2014, u organizuan aksione përmes së cilave u dogjën publikisht kopjet e tij në Skenderaj e Ferizaj.

Autori, Veton Surroi tha se rrezikues të vendit shihen intelektualët të cilët shkruajnë dhe shprehin mendimin e lirë, ku shpesh herë pushtetit të vendit nuk i pëlqen, dhe i dënon kur ai mendim i rrezikon ata.

“Cak i parë janë intelektualët sepse ata shihen rrezikues të narracionit të ri, pushtetet totalitare imponojnë një narracion të vetin, një sistem të vetin të vlerave, prandaj puna e parë që bëjnë është që me vendos flamuj të rinj, emra rrugësh, jo vetëm pushtet por edhe idhuj të rinj, kjo vlen për pushtetet religjioze”, tha Surroi.

“Narracionet që nuk janë pjesë e shumicës shndërrohen në rrezik për atë shumicë, dhe ky është rrezik që e shohin pushtetet pasi që nuk duan të kenë rrëfime alternative”, tha ai.

“Pushteti në përgjithësi ka nevojë me u shërby me metoda për krijimin e një të vërtete në religjione, si krishterim apo islam, njeriu duhet me pranu të vërtetën që e imponon kreu kishtar apo udhërrëfyesi i asaj feje”, shtoi Surroi.

Në këtë diskutim u tha se gjatë periudhës se Jugosllavisë dhe regjimit serb në Kosovë dhe komunizmit në Shqipëri mbi 150 artistë, shkrimtarë, mendimtarë dhe kritik janë dënuar nga pushteti.

Surroi gjatë diskutimit e kritikoi televizionin publik, ku sipas tij mosprania e këtij mediumi në këtë diskutim tregon se sa është e kapur dhe e varur nga shteti, dhe sipas Surroit këtij televizioni djegia e librave nuk iu duket e rëndësishme dhe nuk e di vlerën e djegies së librit.

“RTK si institucion publik duhej të përkrahte këtë mision tuaj, këtë e sheh te panevojshme, kjo tregon censurën dhe formën e vet më efikase, për ta është me rëndësi të krijohet në piramidën e pushtetit”, tha ai.

Surroi tha se për natyrën e pushtetit, mendimi i lirë është i tolerueshëm përderisa ai nuk futet në rënien e vendimmarrjes.

“Kosova është shtet i kapur ku ata që bëjnë pjesë në pushtet janë të sigurt që nuk do të dënohen për veprimtaritë e tyre dhe krimin e organizuar duke filluar nga ata që kanë të bëjnë me sigurinë e njerëzve e deri tek ata që janë për korrupsion. Nëse je anëtarë i klikës në pushtet je i sigurt që nuk do të dënohesh për krimin që e ke bërë, ky është një pushtet i tillë. Pushtetet si ky nuk janë invencion i këtij vendi dhe natyra e pushtetit të tillë është e drejtuar në këtë, që klika, që në feudalizëm ka qene familja,  ky grup që ka vepruar, e ka marr pushtetin dhe tani e gëzon atë pushtet dhe e toleron mendimin e lirë deri sa ai mendim të mos ta rrezikoj atë”, tha Surroi.

Surroi tha se djegia e librave është e njëjtë me një akt dhune.

“Kur digjeshin librat e mi në Ferizaj dhe Skenderaj, ISIS hyri në busullën në Irak dhe gjëja e parë që bën ishte të i shprazin librat e qytetit dhe të i djegin ato sepse ishte shenja e vendosjes së një sistemi të ri mendor. Librat digjen sepse është tregues vendor që është një sistem i ri dhe se e drejta për librin nuk do të tolerohet dhe në këtë mënyrë as shkrimtarët nuk do të tolerohen, por për fat të mirë njerëzimi e ka të qartë që as libri nuk mund të zhduket dhe as shkrimtari”, tha ai.

Liridona Sijarina e cila e moderoi diskutimin e sotëm tha se kjo ngjarje po mbahet për të promovuar më shumë lirinë e shprehjes dhe mendimin kritik i cili shpesh herë nuk është e dëshirueshme nga pushteti.

“Natyra e ngjarjes vë theksin tek promovimi për lirinë e shprehjes, duam të promovojmë mendimin jo konformist, mendimin kritik dhe sfidues që del përtej asaj që është e shitshme apo dëshirohet nga pushteti. Pozita e intelektualëve dhe shkrimtarëve kritik gjithmonë rrezikohet kur ndërtohen pushtete të tilla që kanë tendencën me qenë totalitare”, shtoi ajo.

Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë organizuar “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj cenzurës, me theks të veçantë te cenzurimi i librave.

“Java e Librit të Ndaluar” si ngjarje ndërkombëtare e cila synon ngritjen e vetëdijes mbi lirinë e të shprehurit dhe përkujtim për librat e ndaluar dhe artistët dhe intelektualët e dënuar sidomos gjatë kohës së diktaturave totalitare, mbahet për herë të parë në Kosovë, si ngjarje një ditore e cila organizohet nga “ETEA” në kuadër të “Prishtina Lexon”.

“Librat digjen, (por) idetë jo” është tema për këtë vit, ndërsa “Dita e Librit të Ndaluar” në Kosovë synon të shndrrohet në ngjarje tradicionale përmes së cilës do të trajtohen tema të shumta që në një apo tjetër mënyrë atakojnë cenzurën ndaj mendimit të lirë dhe mentalitetin konzervator apo dogmatik.

Të ngjashme