Sveçla e quan protestë thirrjen “anonime” për falje në shesh

Prishtinë | 19 Maj 2020 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

Sot në orën 16:24 është paralajmëruar “falja n’shesh”, në Prishtinë, nga një grup anonim në Facebook.

Zyrtarisht nuk dihet se kush e ka bërë thirrjen për këtë ritual fetar, megjithatë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se prapa qëndron publicisti Milazim Krasniqi.

“Jam informuar se sot pasdite, një grup “qytetarësh anonimë” po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSh-së të marra sipas rekomandimeve të IKSHP-së, dhe në dakordim të plotë me Bashkësinë Islame të Kosovës. Kemi gjithashtu informacione se pas këtyre organizimeve qëndron publicisti Milazim Krasniqi. I ftoj të gjithë qytetarët të tregojnë maturinë dhe vullnetin e plotë për të mos rënë viktimë e politizimit të riteve fetare”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sot gjatë një konference për media, kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, ritheksoi se ende nuk janë krijuar kushtet për hapjen e xhamive dhe për faljen e namazeve në xhami.

“Ende nuk janë krijuar kushtet për hapjen e xhamive në Kosovë. Kështu janë mendimet e ekspertëve të kësaj fushe. Unë njoh e njoh këtë sëmundje, por këta kolegët që i kam pranë kanë punuar ditë e natë për ne. Ne do të shohim për mundësinë e parë për t’i hapur shtëpitë e Zotit”, u shpreh Tërnava.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme