Sveçla për aksionin në Brezovicë: Sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës

Prishtinë | 21 Dhj 2021 | 19:06 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në facebook ka komentuar aksionin e Krimeve të Rënda që u zhvillua sot në Brezovicë. Ai ka thënë se nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara, por krimin dhe shkelësit e ligjit.

“Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës”, ka thënë Sveçla.

“Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”.

Sveçla është zotuar se si Ministri e Punëve të Brendshme bashkë me Policinë e Kosovës do të mbesin të përkushtuar për ofrim të sigurisë, rendit dhe ligjit për qytetarë e Kosovës, ndërsa shkelësit e ligjit “do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës”.

Të ngjashme