Tahiri: 74 fëmijë i kemi nxjerrë nga tmerri në Siri për t’iu dhënë mundësi të re në bankat shkollore

Prishtinë | 02 Sht 2019 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, uron të gjithë nxënësit në fillimin e vitit të ri shkollor 2019/2020, në veçanti fëmijët që në fillim të këtij viti u riatdhesuan nga Siria.

Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

Nga sot fillon një periudhë e re për fëmijët tanë. Në shkollat e Republikës, që janë burim i dijes e socializimit, mësuesit i presin krahëhapur mijëra fëmijë për të ecur bashkërisht me ta në rrugën e ndërtimit të së ardhmes.

Ky fillim viti shkollor, është akoma më i veçantë. Jam shumë i lumtur që sot në bankat shkollore do të ulen edhe fëmijët e kthyer nga konflikti në Siri.

Nuk ka qenë aspak e lehtë ta drejtoj një mision të tillë, por kam qenë i bindur se ka qenë vendim i drejtë që të marrim përgjegjësi për këta fëmijë dhe t’i kthejmë në vendin tonë.

74 fëmijë shqiptarë i kemi nxjerrë nga tmerri i luftës, për t’iu dhënë një mundësi të re si çdo moshatar i tyre.

Askund më mirë se në shkollë, nuk gjendet një mundësi e tillë.

Duhet t’i përkrahim e t’i inkurajojmë që të nxënë dije e të bëhen pjesë e jetës sociale që zhvillohet brenda shkollave tona.

Me kthimin e tyre, jo vetëm që kemi shfaqur një anë njerëzore të vlerave tona si shoqëri, por edhe kemi vendosur një standard të ri në rrafshin global, që sot është referencë edhe për vendet më të zhvilluara demokratike.

Me këtë rast, këtyre fëmijëve në veçanti dhe të gjithë fëmijëve të Republikës së Kosovës që filluan shkollën, ju dëshiroj shëndet dhe mësim nxënie të suksesshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme