Tahiri: Do të ketë koordinim ndërmjet inspektorëve lokalë dhe qendrorë, numri i vogël i tyre po e vështirëson punën në teren

Prishtinë | 29 Kor 2020 | 08:18 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se në takimin që ka zhvilluar me kryeministrin Avdullah Hoti, janë dakorduar që Inspektorati Lokal dhe ai Qendror, të mbikëqyrin zbatimin e masave anti-covid në terren.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Tahiri ka thënë se deklaratat e kryeministrit nuk kanë qenë për inspektorët lokalë.

“Unë kam reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Hoti, sepse më është dukur e padrejtë, mirëpo e kam kuptuar që nuk ka qenë fjala për Inspektorët e nivelit Lokal. Kësisoj kemi vazhduar koordinimin me kryeministrin  Avdullah Hoti, dhe jemi dakorduar që Inspektorati Lokal dhe ai  Qëndror, të arrijnë të mbikqyrin zbatimin e masave anti-covid në teren”, shtoi Tahiri.

Tahiri tha se nuk do t’i komentojë masat dhe vendimet e qeverisë, teksa shton se së bashku me Inspektorët janë duke e mbikëqyrur në vazhdimësi punën në terren.

Për shkak të numrit të vogël të inspektorëve, Tahiri u shpreh se janë duke u angazhuar maksimalisht në zbatimin e masave në teren.

“Ne me gjithë inspektorët tanë jemi në vazhdimësi në teren edhe në ndërrimin e parë edhe poashtu në të dytin, në mënyrë që të arrijmë në secilin cep të Prishtinës në mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre masave. Meqë jemi numër i vogël i Inspektorëve në secilin institucion jemi në vazhdimësi duke kërkuar koordinim të cilin po shpresojmë se do ta arrijmë , që të punojmë bashkërisht në teren. Inspektorët janë ata që kanë qenë edhe para pandemisë, por angazhimi i tyre është maksimal dhe secili prej tyre e tejkalon orarin e punës dhe e jep maksimumin që ti mbikëqyrin sa më mirë zbatimin e masave”, shtoi ai.

Drejtori i Inspektoratit, Tahiri theksoi se janë shqiptuar qindra gjoba për personat që nuk i respektojnë masat nga qeveria, të cilat po ndryshojnë nga minuti në minut kështu që nuk ka ndonjë shifër të saktë.

“Tashmë në dy javët e fundit janë bërë qindra gjoba të tilla. Shifrat po ndryshojnë nga minuti në minut kështu që nuk do të japë shifër të saktë sepse janë qindra gjoba të shpërndara”, shtoi Tahiri.

Të ngjashme