Tahiri: Drejtësia komerciale prioritet që po merr formë

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim drejtoreshën e re të Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno.

Tahiri e ka njoftuar drejtoreshën Magno për procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, në kuadër të së cilës është duke u hartuar një politikë publike që synon konsolidimin e drejtësisë komerciale.

Tahiri ka theksuar se drejtësia komerciale është një prioritet themelor që tashmë po merr formë konkrete, me ç ‘rast ka vlerësuar mbështetjen e deritanishme që USAID-i i ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë dhe ka kërkuar që kjo mbështetje të vazhdoj edhe më tutje, sidomos në kuadër të Rishikimit Funksional dhe Agjendës “Drejtësia 2020”.

Sipas Tahirit, reformat në drejtësinë komerciale janë fundamentale për zhvillimin e një sistemit të qëndrueshëm të drejtësisë që ndërlidhet me të bërit biznes, si një domosdoshmëri që siguron sektorin e biznesit për qasje të shpejtë dhe efikase në drejtësi, efektet e së cilës padyshim se do të ndikojnë edhe në rritjen e investimeve të huaja.

Gjatë takimit është biseduar edhe për hapat e mëtejmë implementues në kuadër të agjendës “Drejtësia 2020”, si dhe për planet për konsolidimin e sistemit të ndërmjetësimit dhe digjitalizimit të shërbimeve noteriale që do të mundësojnë sisteme më të besueshme të raportimit dhe mbikëqyrjes por edhe qasje më të lehtë në drejtësi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme