Tahiri: Komunat dhe niveli qendror duhet të flasin me një zë

Prishtinë | 05 Mar 2017 | 10:23 | Nga

Drejtori Ekzekutiv në Institutin për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri ka kërkuar nga Komunat dhe Qeveria të flasin me një zë sa i përket problemeve lokale.

Sipas tij, qeverisja lokale ende vazhdon të funksionoj në paqartësi, nisur nga mungesa e kohezionit të politikave, legjislacionit, menaxhimit ad-hoc, komplikueshmëria e procedurave, mbikëqyrja, llogaridhënia e dobët, e deri tek mungesa e përfshirjes së qytetarëve në vendim-marrje.

Postimi i plotë i Besnik Tahirit:

Akademia për Qeverisje Lokale, mbajti modulin e dytë ku në sesione të ndara u trajtuan relacionet në mes nivelit qendror dhe atij lokal. Në fokus ishin aspektet strategjike të komunave, reforma e administratës, koordinimi i politikave dhe financimi i qëndrueshëm i komunave.

Përtej kësaj, u analizuan edhe modelet rajonale në veçanti procesi i reformës së pushtetit vendor që ka ndërmarrë Shqipëria në funksion të integrimit evropian.

Përgjatë sesioneve, diskutimeve dhe punëve në grupe theksova se:

Paqartësitë ligjore, procedurale dhe funksionale në mes niveleve të qeverisjes, janë pengesë e madhe në zbatim funksional të kompetencave dhe shërbimeve. Si rrjedhojë komunat nuk po arrijnë të hartojnë politika dhe plane të qëndrueshme zhvillimore.

Gjatë diskutimeve vura theksin tek menaxhimi financiar nga komunat duke pasur parasysh se Ligji për Financat e Pushtetit Lokal është në proces të diskutimit dhe se procesi i ndryshimit dhe plotësimit të tij do të jetë i rëndësisë së veçantë.

Përderisa nëpërmes shembujve, u analizuan fushat dhe sektorët funksional në komuna, ku u pa qartë se qeverisja lokale ende vazhdon të funksionoj në paqartësi, nisur nga mungesa e kohezionit të politikave, legjislacionit, menaxhimit ad-hoc, komplikueshmëria e procedurave, mbikëqyrja, llogaridhënia e dobët, e deri tek mungesa e përfshirjes së qytetarëve në vendim-marrje.

Krejt në fund u theksua domosdoshmëria që procesi i reformës të shtyhet paralel me ri-shikimin funksional të decentralizimit. Ky proces duhet të ndodh kujdesshëm, sistematikisht dhe sektor për sektor.

Fotografia e Besnik Tahiri

Fotografia e Besnik Tahiri

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme